Frrok Çupi/

Piloti italian i “rastësishëm”, Guilo Guidi, me naivitetin e tij thuajse donkishotesk, mund të shkaktojë “Luftën e Ftohtë”  me qendër këtu në Ballkan.  Këtu kanë nisur luftërat, që më vonë i kanë vënë zjarrin botës. Koka e një tregtari të vogël është gjetur në kufi dhe ka nisur një luftë këtu afër, një imperator është vrarë këtu afër shtetit tonë dhe pas kësaj lufta e botës ka nisur. Piloti “i shastisur” italian ndodhet mes kokës së prerë të një rastësori dhe vetë imperatorit të Habsburgëve.

Ky njeri i “vobektë”, transportues droge,  po manipulohet prej tre fuqive të mëdha.

Fuqia e parë manipulatore është Shqipëria. Shumëkush mund të çuditet kur lexon fjalët “Fuqi e Madhe” për Shqipërinë. Në rastin e ndezjes së një zjarri ose të prurjes së një të keqeje, Fuqi e Madhe bëhet ai që nuk do t’ia dijë për asgjë, ose që është përtokë. Shqipëria ndodhet në këtë moment; në momentin kur mund të bëjë gjithçka. Ka një qeveri të urryer prej popullit të vet, qeveri që nuk ka lidhje me asnjë “krah”, veçse ka mbledhur perversë dhe “monstra” për pushtet; qeveri që bën çfarë i thotë mendja pavarësisht prej ligjit ose dobisë qytetare, e kapur në vjedhje të mëdha të votave dhe financave, e kapur në korrupsion, e kapur në bashkëpunim me krimin.  Një qeveri si kjo mund të bëjë “atë që nuk ta pret mendja”. Prandaj mund të quhet superfuqi në rastin e të keqes.

Shqipëria po manipulon një pilot italian droge, që me sa po del, e kishte rekrutuar vetë qeveria e Shqipërisë për të transponuar drogë drejt Italisë. Në fjalorin e Luftës, që në këtë botë është i përjetshëm, ky quhet agresion kundër një shteti tjetër, ose disa shteteve.  Nën kujdesin e qeverisë qenka ndërtuar një aerodrom për avionë të vegjël droge në Ishëm të Durrësit dhe caktuar itineraret. Gjithçka e “kopsitur” deri në hollësi: Vijnë avionët, ngarkohen, shkarkohen në Itali, vijnë prapë… në fshehtësi. Qeveria nuk kishte menduar veç një detaj: Ndonjë avion i vogël mund të pësonte defekt e të ngelej si dëshmi! Megjithëse kishte ndodhur e njëjta gjë para një viti me një aviator italian, por në Divjakë. Avioni ngeli edhe kësaj here në Ishëm. Pas tij kushedi sa fluturime fshihen!

Kjo nuk është dëshmi veç për popullin tonë “si dele”, siç e di kryeministri. As për Opozitën “më të urryer se kriminelët”, siç tha kryeministri. Jo, këta mund të quhen “zero e fyell, njësh e send i kotë/ që as drurin e thjeshtë pesë pëllëmbë s’e ngrenë dot…”, siç shkruante poeti komunist Majakovski. Por avioni i rrëzuar në një aeroport të pashpallur, sekret, me mision të fshehtë, bëhet dëshmi e një turbulence botërore. Aq më pak aeroporte sekrete. Bota nuk është “zero e fyell”.

Qeveria, pas rrëzimit të avionit, ka hyrë poshtë detajeve, si poshtë krahëve të prerë dhe po manipulon me pilotin. Fillimisht i kërkoi që të thotë se “vij për turizëm” dhe ai e tha. Pastaj i tha “thuaj për 200 kg drogë”, dhe ai e tha. Pastaj i tha se “po bashkëpunoj me prokurorin”, dhe ai e tha. Pastaj i tha të thotë se “nuk  thashë asgjë”, dhe ai e tha. Më në fund është kuptuar se të gjitha këto janë, jo deklarata të pilotit, por të qeverisë së Tiranës. Kjo krijon komplikime të reja; jo veç për “zero e fyell”, por për botën rreth.

Fuqia e Dytë është Italia; shteti italian vetë ose mafia italiane.

Avioni nuk mbiu në Ishëm, as piloti Guidi. Këta vijnë nga Italia, dhe priten po nga Italia. Italia është anëtare e BE, tanimë një nga tre anëtarët e BE që po “projekton” të ardhmen e Bashkimit të Ri Europian. Kryeministri italian, në krah të Merkel dhe Holande,  ka marrë përsipër barrën e madhe të një burri shteti që i imponohet teorisë së re të Europës. Avionët italianë që kapen duke transportuar drogë drejt Italisë, nuk japin këtë mesazh, por të kundërtin. Matteo Renzi po luan si Musolini, reklamon “union”, por eksporton rrezik për Europën. Droga është agresion mbi Europën. BE e Re falimenton që këtu. Rreziku vjen nga Shqipëria fqinje; tashmë është përhapur edhe frika nga “mafia shqiptare”. Por në këtë rast prej Italisë së Renzit.

Italia, sipas disa rrjedhjeve të informacionit, paska një lidhje të afërt me pilotin e saj të Ishmit; por përmes qeverisë “mike” të Shqipërisë. Avokati italian, sapo mbërriti, tha të njëjtat fjalë që kishte thënë Ministri i Brendshëm i Shqipërisë. Por sa më shumë e manipulojnë pilotin, aq më e rrezikshme bëhet; bota kupton çfarë po fshihet. Më në fund kanë nxjerrë kokën disa dyshime se avioni do të transportonte armë të sofistikuara dhe persona VIP, dmth., “bin Ladenë” të rinj.

Fuqia e Tretë,

që “manipulon” me pilotin e drogës së Ishmit, nuk ka një vendndodhje si psh., Itali ose Shqipëri. Kjo është një botë me dy sense: Me sensin e mbrojtjes prej krimit dhe tjetra, me sensin e përdorimit të pilotit për të marrë supermaci politike.

E para, vendet e Europës që akoma kanë mbetur në idenë për t’u mbrojtur nga krimi i importuar. Gjermania po tregon shenja se nuk e do më zonjën Merkel veç pse përkrahu të huajt që “sjellin krim”. Holanda deklaroi në Parlament “të largohen të gjithë shqiptarët”. Në Francë Marine Le Pen deklaroi se do të jetë presidente e Republikës…  Avioni i drogës së Ishmit është si “koka e Daut Hoxhës” e prerë në kufi dhe që shkaktoi luftë. Tani këtu nis Lufta e Ftohtë për mbyllje kufijsh.

E treta është “bota e Putinit”, dhe autokratëve të Lindjes ata që manipulojnë pilotin.  Domethënë , ajo që tenton të dominojë edhe Perëndimin. Putin i Rusisë, këtë të Diele fitoi thellë zgjedhjet Parlamentare. Ky nuk ka të ndalur. Po fiton politikisht, ndërsa ekonominë nuk e ka sa për të fituar. Politika më e fortë e Putinizmit është të vëzhgojë dhe të tregojë me gisht nga Aeroporti Sekret i Ishmit, se ku e nga avionët fantazmë transportojnë drogë dhe armë…

I shkreti Guido, po e manipulojnë për të keq.

/Veritas.com.al/