Vendimi i fundit i Qeverisë për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, pas një sulmi masiv kibernetik ndaj Tiranës zyrtare tregoi shumë për botën.

Kështu, të paktën, mendon James L. Jones, një ish-komandant i Trupave Detare Amerikane, ish-komandant suprem i aleatëve të Evropës dhe ish-këshilltar i presidentit për sigurinë kombëtare.

Lones, i cili tani është kryetar ekzekutiv i Këshillit Atlantik shprehet se nga vendi ballkanik ka shumë për t’u mësuar.

“Mësimet nga veprimet e Iranit dhe reagimi i guximshëm i Shqipërisë duhet të vihen re nga Shtetet e Bashkuara dhe komunitetin global”, thotë ai në një editorialin të tijin.

Ish-komandanti sjell në vëmendje goditjen fillestare të Iranit ndaj sistemeve qeveritare shqiptare.

“Pasi autorësia iraniane u vërtetua, kryeministri Edi Rama hodhi poshtë përpjekjet e praktikuara mirë të Iranit për të mohuar dhe shmangur përgjegjësinë”.

Për Lones, Rama ndërmori një veprim vendimtar për të shkëputur marrëdhëniet me qeverinë e iranit dhe për të dëbuar diplomatët nga Shqipëria.

“Ky veprim i guximshëm nuk mund të ishte një vendim i lehtë për një komb paqedashës. Por ishte historik”.

Sipas tij, përgjigja e Ramës dërgoi një mesazh të rëndësishëm për regjimin iranian: se brutalitetet e tij nuk do të tolerohen.

“Për më tepër, është një shembull për vendet e tjera në rajon – dhe në mbarë botën – të kërcënuara nga hakerimi iranian. Mbi të gjitha, ajo i tregoi komunitetit global vendosmërinë e nevojshme në trajtimin e sundimtarëve të Iranit dhe litanisë së tij të zemërimeve ndërkombëtare”.

Ndërprerja diplomatike

Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin dhe dëboi diplomatët e tij pasi e akuzoi për një sulm kibernetik.

Ajo mori mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por jo vetëm.

Sulmi i parë kibernetik ndodhi më 15 korrik, duke mbyllur përkohësisht shumë shërbime dhe faqe interneti digjitale të qeverisë shqiptare dhe ai i dyti më 9 shtator, kur u prek sistemi TIMS.

Kryeministri shqiptar Edi Rama tha në fillim të këtij muaji se vendi i tij vendosi nëpërmjet “provave të pamohueshme” se ishte një “agresion shtetëror” nga katër grupe të orkestruara nga Irani.

Qeveria shqiptare i dha zyrtarisht stafit të ambasadës iraniane në Tiranë, përfshirë personelin diplomatik dhe të sigurisë, 24 orë për t’u larguar nga vendi.