TIRANË- Policia Shqiptare ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me atë italiane.
Drejtori i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, gjatë fjalës së tij ka dhënë detaje nga aksionet e zhvilluara për luftën kundër kultivimit të kanabisit.
“Ne nuk u mjaftuam vetëm me kontrolle nga toka dhe nga ajri, por nisëm edhe hetimet. Përgjatë 10 mujorit të këtij vitit u siguruar mbi 6 mijë informacione për kultivimin e lëndëve narkotike”, tha ai.
Gjithashtu Proda paralajmëroi se puna do të vijojë intensivisht dhe synimi është edhe goditja e financuesve të kësaj veprimtarie kriminale.
Fjala e plotë
Lufta kundër kultivimit të kanabisit mbetet një prioritet strategjik për Policinë e Shtetit, shqiptar, si dhe një objektiv që kërkon angazhim të përditshëm, koordinim, transparencë dhe vendosmëri.
Partneriteti ynë me autoritetet italiane ka qenë vendimtar në këtë betejë dhe rezultatet e përbashkëta janë prova më e qartë se sa i rëndësishëm është bashkëpunimi ndërinstitucional dhe ndërkombëtar në këtë fushë.
Organizimi i kësaj konference me partnerët italianë, për të evidentuar rezultatet e përbashkëta në luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike, nuk është thjesht një traditë apo një analizë formale, por është analizë pune e përbashkët dhe vlerësim kontributesh.
Policia e Shtetit ka punuar intensivisht për përmbushjen e prioriteteve të dokumenteve strategjike dhe Planit të Veprimit për vitin 2025. Ky plan synoi parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të narkotikëve, përmes operacioneve të koordinuara qendrore dhe vendore, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe angazhimit dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të dhënë informacion.
Sensibilizimi i qytetarëve dhe i komunitetit ishte prioritet. Gjatë vitit 2025, u zhvilluan 812 takime me pjesëmarrjen e 16 885 qytetarëve dhe me angazhimin e 2955 punonjësve të Policisë. Institucionet arsimore dhe aktorët lokalë kontribuuan në mënyrë aktive në këto iniciativa.
Kontrolli i territorit dhe përdorimi i teknologjisë ishin faktorë kyç për arritjen e rezultateve pozitive në parandalimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Deri më 31 tetor 2025, Policia e Shtetit kreu 217 119 kontrolle në 330 431 orë shërbimi.
Objektet e kontrolluara përfshinë: sera, magazina, shtëpi të braktisura, tunele dhe ambiente të hapura.
Për vitin 2025, përdorimi i dronëve u rrit në 76 pajisje. Sistemi elektronik “GIS-NARKOTIK” ofroi të dhëna më të plota dhe raporte analitike për ndjekjen e kultivimit të kanabisit.
Një ndihmesë të madhe për terrenet mjaft të vështira na dha Ministria e Mbrojtjes, me vënien në dispozicion të helikopterëve, me qëllim transportimin e forcave policore në ato zona ku ishte e pamundur të shkohej me këmbë. Gjej rastin të falënderoj Shefin e Shtabit të Ushtrisë, Gjeneral Kingjin.
Ne nuk u mjaftuam vetëm me kontrolle, nga toka apo nga ajri, as me prishjen e fidanëve apo bimëve kanabis të mbjella, por u punua me vendosmeri nga strukturat e Policisë kriminale për sigurimin e informacionit policor dhe për nisjen e hetimeve proaktive.
Në këtë kuadër, përgjatë 10-mujorit të këtij viti u siguruan 6 917 informacione policore, për kultivimin e bimëve narkotike dhe filluan 104 procedime proaktive.
Një punë e mirë parandaluese u bë dhe në drejtim të goditjes së posedimin/shitjes së farave të kanabisit, si rezultat i së cilës në 16 raste u sekuestruan 10 798 fara.
Lufta kundër këtij fenomeni u intensifikua dhe në drejtim të evidentimit dhe goditjes së tentativave për kultivim të kanabisit, me anë të llambave, në ambiente të mbyllura, duke evidentuar dhe shkatërruar 10 ambiente të përgatitura me llamba që shërbenin për kultivim të bimëve narkotike, si dhe 3 ambiente në tentativë për t’i përshtatur për këtë veprimtari kriminale. Për këto raste janë arrestuar dhe proceduar 31 shtetas, mes tyre edhe punonjës të OSHEE-së, për shpërdorim detyre.
Siç e theksova dhe në fillim, lufta ndaj këtij fenomeni nuk bëhet e vetme. Bashkëpunimi ndërkombëtar, sidomos me Guardia di Finanza, prej shumë vitesh ka dhene rezultate shumë pozitive.
Gjatë 10-mujorit të vitit 2025 janë evidentuar dhe asgjësuar gjithsej 203 960 bimë kanabisi, nga të cilat 106 894 bimë të evidentuara nga monitorimi ajror dhe 97 066 të evidentuara nga kontrollet e territorit, nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Nga analiza e bërë, dhe këtë vit qarku i Shkodrës mbetet qarku me risk më të lartë, me 105 591 bimë të asgjësuara.
Njëkohësisht, nga strukturat e Policisë së Shtetit janë evidentuar dhe asgjësuar në fazë fillestare, 17 447 fidanë të dyshuar kanabis.
Të nderuar pjesëmarrës,
Strukturat vendore dhe qendrore të Policisë së Shtetit përgjatë 10-mujorit të vitit 2025 kanë evidentuar 580 raste kultivimi me 191 shtetas të implikuar, nga të cilët 106 janë arrestuar, 36 janë ndaluar, 17 janë proceduar në gjendje të lirë dhe 32 janë shpallur në kërkim.
Po t’i krahasojmë këto rezultate, me të njëjtën periudhë të vitit 2024, përgjatë 10-mujorit të vitit 2025 kemi ulje me 132 raste kultivimi, 58 317 bimë narkotike më pak dhe 71 873 fidanë më pak.
Kemi rritje të procedimeve penale, me 7 autorë kultivimi më shumë dhe 60 punonjës të proceduar për shpërdorim detyre, më shumë.
Integriteti dhe vendosmëria e Policisë kanë qenë themeli i suksesit tonë. Përgjatë këtij viti u proceduan penalisht 163 shtetas për shpërdorim detyre dhe moskallëzim të krimit (kryetarë fshatrash, administratorë, punonjës të OSHEE-së, inspektorë të pyjeve etj.).
Për vitin që vjen puna do të nisë menjëherë, duke zhvilluar analiza të hollësishme të rasteve të evidentuara, për zbardhjen e rasteve të pazbuluara përgjatë këtij viti, identifikimin dhe kapjen e autorëve, evidentimin dhe mbajtjen në kontroll të shtetasve me precedent kriminal me këtë tendencë, si dhe forcimin e bashkëpunimit me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit, padyshim dhe me qytetarët.
Gjithashtu, do të punohet intensivisht për evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivim të bimëve narkotike, nëpërmjet llambave, identifikimin dhe arrestimin e individëve dhe grupeve që importojnë fara, si dhe të financuesve të kësaj veprimtarie kriminale.
Në përfundim, dua të theksoj se Policia e Shtetit mbetet plotësisht e përkushtuar për të rritur më tej rezultatet dhe për të minimizuar çdo tentativë për kultivim të kanabisit.
Vendosmëria jonë është e qartë dhe e palëkundur.
Ne do të vazhdojmë të investojmë në teknologji dhe në forcimin e bashkëpunimit me partnerët tanë ndërkombëtarë, në veçanti me Policinë italiane dhe me GDF-në që kryen monitorim nga ajri, sepse kjo është rruga e vetme që garanton sukses afatgjatë.
Komente