Nisur nga situata e pazakontë, shkaktuar prej koronavirusit, Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka anuluar samitin e G7-ës, grupit të vendeve më të industrializuara.
Ishte paraparë që samiti të mbahej në qershor, në Kamp Dejvid, pranë Uashingtonit.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Judd Deere, tha se udhëheqësit do të bisedojnë “në baza virtuale, në mënyrë që të gjitha ekonomitë t’i përqendrojnë burimet në trajtimin e sfidave shëndetësore dhe ekonomike, që paraqet sëmundja COVID-19”.
G7-ta përbëhet nga: Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia dhe Shtetet e Bashkuara. Të gjitha këto shtete po luftojnë për frenimin e pandemisë.
SHBA-ja mban udhëheqjen e G7-ës gjatë vitit 2020./REL