Zjarret kanë krijuar situatë vërtetë kritike dhe alarmante në vend gjatë 48 orëve të fundit.

Më problematike gjendja paraqitet në Himarë dhe zonat e Fierit.

Ministria e Mbrojtjes përditësoi situatën e vatrave dhe operacioneve për sot (5 shtator).

Gjatë 24 orëve të fundit informohet se janë raportuar 39 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 3 janë nën mbikëqyrje dhe 25 janë shuar plotësisht.

Në terren janë angazhuar 881 forca operacionale, 75 automjete zjarrfikëse dhe 340 forca të Forcave të Armatosura, të mbështetura nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe 1 avion Air Tractor.

Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, 2 helikopterëve dhe 1 Air Tractor.

Vatrat kryesore aktive janë në Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.

Në Fier dhe Himarë, ku situata ka qenë më e rëndësishme gjatë 24 orëve të fundit, rreziku për zonat e banuara është shmangur dhe operacionet për shuarjen e zjarreve vijojnë.

Në Himarë, në lagjen “1 Maji”, u evakuuan 36 persona, ndërsa 6 banesa u prekën nga zjarri, 3 prej tyre të banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

 

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *