Nga Denis Dyrnjaja

Jetojmë në epokën kur shumë njerëzve ose ju flet interesi, ose tifozllëku, ose të dyja bashkë madje më shumë kombinimi i fundit. Më e neveritshëm është predikimi i moralit pikërisht nga ata që janë simbol i pamoralitetit publik dhe etalon i interesit. Dhe kur flitet për interes ose tifozllëk, sado e kamufluar të jetë qasja dhe pavarësisht se flitet në emër parimesh, e arsyeshmja bëhet e paarsyeshme, humbet vlerën ose vërtetësinë dhe bëhet edhe qesharake deri në neveri.

Kjo lloj tipologjie njerëzish nuk është se janë shumicë, por për fat të keq janë protagonistë dhe zhurmojnë më shumë nga të tjerët, duke krijuar perceptimin se të gjithë mendojnë si ta dhe nuk kanë një qasje ndryshme nga ata. P.sh shumë prej tyre kanë qenë adhurues të Edi Ramës, njoh shumë prej tyre syresh sidomos në politikë, por për shkak se ai i ka flakur jashtë oborri, ose nuk i ka përfillur ata e urrejnë e sulmojnë në emër të parimeve duke kamufluar dufin personal. Në aspektin njerëzor, urrejtja e tyre qëndron dhe është e mirëkuptueshme, por në atë moral çalon dhe fort madje. Ky është rasti i atyre që kur ai i merr në autobusin e pushtetit ose autobusin e salltanetit, Rama është ok.

Kur i zbret shndërrohet në arrogant, i rrezikshëm dhe thellësisht i korruptuar, autokrat e diktator. Dhe këtë e thonë më fort të gjithë ata që ose e kanë patur mik personal, ose na e kanë bërë peshqesh në pushtet, e kanë mbrojtur dhe na e kanë lavdëruar, apo ata që e kanë ardhuruar së afërmi e së largu me dhe pa interesa. Për fat në Shqipëri ka një shumicë të heshtur që s’duan as Edi Ramën dhe as pseudomoralistët anti-Rama.

Ata nuk kanë mundësi të flasin nëpër media se kanë punët dhe jetët e tyre të palidhura me interesa pushteti ose salltaneti.

Ata nuk durojnë as mënyrën sesi po qeveris Rama, por as alenativën brenda filozofisë së Ramës që synon të konvertojë, menaxherët e tenderave dhe biznesit politik me versionin se janë shpëtimi nga Rama i keq.

Dhe kjo shumicë nuk voton as Ramën as ata që bëjnë pazare me Të, sipas interesave të pushtetit dhe xhepit. Ata votojnë vetëm vetveten!/Marrë nga Facebook-u i autorit

VERITAS.COM.AL