Prej kohësh në media dhe në publik po flitet për një çarje të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Socialiste mbi zgjedhjet lokale në Dibër. Dibra do të zhvillojë zgjedhje për kryetarin e Bashkisë më datë 11 shtator, pas skandalit seksual të kryetarit socialist, Shukriu. Ditët e fundit po pasqyrohet indiferentizëm i LSI ndaj procesit të Dibrës. Disa mendojnë se në fakt këtu do të nisë çarja e koalicionit qeverisës.

 

Sipas gazetës Sot, ashtu si në pjesën dërrmuese të bashkive të vendit, edhe në Bashkinë e Dibrës, Lëvizja Socialiste për Integrim ka akuzuar Partinë Socialiste se nuk ka zbatuar marrëveshjen e 2013 dhe ka shfaqur ankesa për mungesën e bashkëpunimit nga ana e socialistëve. Ankesat janë për ndarjen e posteve dhe punësimin në administratë.

 

Në kushtet kur LSI e ka “kapur” partinë Socialiste në “pabesinë” mbi punësimin, me këtë rast ka gjetur rastin që të kërkojë rishikimin e marrëveshjes mes PS dhe LSI për kolicionin qeverisës të hartuar menjëherë pas zgjedhjeve të qershorit 2013.

 

PS do të jetë e detyruar të pranojë kushtet e LSI, ose në rast të kundërt nuk do të gëzojë mbështetjen e aleatit të koalicionit qeverisës për kandidatin e PS për kryetar bashkie, Muharrem Rama.

 

Sipas burimeve për gazetën “Sot”, strukturat drejtuese të LSI në Dibër kanë kërkuar një takim me liderët lokalë të PS, ku synojnë zbatimin e një marrëveshjeje që do të ketë në thelb punësimin e militantëve të LSI në pushtetin vendor dhe ndarjes së posteve në administratën publike, në këmbim të mbështetjes që do të ofrojë kjo forcë politike për kandidatin e PS, e cila ka si qëllim të rimarrë me çdo kusht sërish Bashkinë e Dibrës pas largimit të ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili. Dje ishte parashikuar që të zhvillohej një takim mes dy strukturave, por ajo u anulua në minutat e fundit, duke lënë pezull bashkëpunimin.