Nga: Astrit patozi/
Kryetari i vetëngrirë i PD, Lulzim Basha, mori sot të gjitha përgjegjësitë për prishjen e një gare të drejtë, duke refuzuar pothuajse të gjitha kërkesat tona të arsyeshme për zhvillimin e një procesi të paanshëm, gjithëpërfshirës dhe të pandikuar.
Lulzim Basha nuk pranoi të japë
dorëheqjen dhe as të lëshojë zyrën, si kushti minimal për t’i dhënë garës paritet në start; vendosi të ruajë si monopol aksesin tek lista e anëtarësisë si dhe po vrapon të zhvillojë zgjedhje të nxituara për të
mos u dhënë mundësi të tjerëve të bënin një fushatë normale.
Vrau çdo mundësi për të analizuar rezultatin dhe për të gjetur arsyet kokëforta të humbjes së thellë të PD me 25 qershor.
Në këto kushte, kur nuk garantohen as elementet bazikë për zhvillimin e
një konkurrimi normal, Lulzim Basha mbetet sot përgjegjësi i vetëm, jo vetëm për rezultatin katastrofik të PD në zgjedhje, por dhe për bllokimin e një gare, që do t’ i jepte asaj shansin e vetëm për t’u ringritur.
I kërkova kandidatit Lulzim Basha të çlironte PD nga marrja peng e procesit të reflektimit dhe të garës së drejtë brenda nesh. Nuk lëvizi as gishtin për të reaguar, por duket se është shumë i vendosur t’i shkojë deri në fund kèsaj maskarade zgjedhore, e cila nisi me shkelje të rënda të librit të rregullave të PD.
Ky ishte detyrim i panegociueshëm që procesi të kthehej në shina statutore. Kjo nuk ndodhi. Bashkë me të edhe të gjitha kërkesat e tjera.
Ndaj është fare e qartë për të gjithë,
Lulzim Basha ka marrë përsipër nisjen dhe përfundimin e një farse të shëmtuar elektorale, që thellon akoma më shumë përçarjen dhe krizën e thellë të PD.
Pas kësaj, demokratëve u lind e drejta e çdo lloj forme reagimi për të mos lejuar rrëmbimin pa garë të mandatit të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, personi që e çoi atë në humbjen më të rëndë të historisë së saj dhe po e çon me bindje drejt shkatërrimit përfundimtar.
Lulzim Basha pasi shkatërroi PD dhe të djathtën në zgjedhje, po vazhdon me asgjësimin përfundimtar të asaj, që mbeti prej tyre për shkak të tij. (fb)
Veritas.com.al/