Thuajse një vit më parë, policia shqiptare arrestoi një vrasës francez, të akuzuar dhe dënuar nga Gjykata e Nantes në Francë.
Por, informacionet e autoriteteve franceze vunë në lëvizje agjentët shqiptarë të antikrimit, të cilët në rrugë operative mësuan vendndodhjen e tij dhe bënë të mundur arrestimin, për të cilin ishte dhënë një vendim me”Burgim i përjetshëm” dhe i cilësuar si person i rrezikshëm.
Francezi i arrestuar nuk është as i pari dhe ndoshta as i fundit që ka zgjedhur të strehohet në Shqipëri. Pak kohë para se të dënohej në Itali për lidhje me organizatën mafioze “Ndrangheta”, Amedeo Matacena, një ish-deputet i partisë së Silvio Berlusconi-t i hodhi sytë drejt Shqipërisë për të investuar miliona euro në projekte biznesi.
Bëhet fjalë për korrikun e vitit 2014, kur drejtoria e Hetimeve të Antimafias në Itali, DIA zbuloi në paradhomën e Matacena-s projekte mbi një linjë hidrocentralesh të vogla në Gomsiqe të Pukës, për të cilat ish-politikani kontrovers kishte shfaqur interes që prej fillimit të vitit 2012. Projektet u zbuluan në kuadër të një hetimi që Antimafia po kryente ndaj ish-ministrit Claudio Skajola. Të paktën në 5 raste, autoritetet shqiptare kanë bërë arrestime apo sekuestrime për llogari të kolegëve italianë, duke goditur anëtarë të Sacra Corona Unita-s dhe “Ndrangheta-s” dhe bllokuar pasuri të tyre, të investuara në Shqipëri.
Gjurmët e këtij fenomeni shtrihen thellë në kohë, prej vitit 1998, kur një raport i Departamentit Amerikan të Shtetit vinte në dukje se prokurorët shqiptarë ishin asokohe të shqetësuar për aktivitetin e bosëve të mafias italiane, të përfshirë në trafiqe në Shqipëri. Një dekadë më pas, Shërbimi Informativ Shtetëror raportonte se mafia italiane “kishte shenjestruar kumarin, bastet, kazinotë”.
Interesi i mafias italiane për vendin e vogël përtej detit Adriatik u zgjua një dekadë pas njohjes dhe lidhjes së pakteve me grupet shqiptare. Të vendosura gjeografikisht përballë Shqipërisë, grupet kriminale puljeze, kanë sipas autoriteteve italiane edhe lidhjet më të forta me grupet e krimit nga Shqipëria.
Pas arrestimit në rastin e parë të Xhuzepe Muolos, policia shqiptare arrestoi në vitin 2002 tre anëtarë të tjerë të Sacra Corona Unita-s, Donato di Tano, Francesko Sabatelli e Mimi Vinci. Të tre u arrestuan për trafik të narkotikëve. Në shtator të vitit 2010, Shqipëria arrestoi Alberto Prudentino, sërish shef i Sacra Corona Unitas dhe vuri në sekuestro tre biznese të tij, të lidhura kryesisht me bastet dhe kazinotë./ TCH/
VERITAS.COM.AL/