Vota kundër reformës në drejtësi është një qëndrim kundër interesave të Shqipërisë, sipas Pandeli Majkos, që komentoi letrën drejtuar deputetëve nga ambasadori amerikan. Sipas Majkos, Shqipëria rrezikon të përfshihet në një spirale anti-perëndimore. Ish kryeministri kujton edhe sesi një politikan shqiptar u zbulua se punonte për shërbimet e huaja të shkrira, gjatë luftës së Kosovës. Majko nuk përmend emra, por kujton se qëndrimet antikombëtare në situata të caktuara nuk kanë munguar.
Ja çfarë shkruan në rrjete sociale:
Letra e Ambasadorit Lu është e paprecedentë për mënyrën se si politika amerikane vendos raportet me një cështje në pamje të jashtme si “çështje e brendëshmë” e një vendi.
Ka pak njerëz, por ka edhe në Partinë Demokratike që e kuptojnë “kodin” e saj. Kjo parti u krijua si aspiratë ndaj Perëndimit e shoqërisë shqiptare përpara 25 viteve. Ky është fakt.
Shqipëria aktualisht rrezikon të përfshihet në një spirale anti-perëndimore. Ky është një rrezik real. Askush nga ata që bëjnë sikur flitet për një “interes personal” të një ambasadori, me këtë që po ndodh, janë duke thënë të vërtetën. Është e tepërt që letra e Ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të shikohet e lidhur edhe me “refuzimin” e Edi Ramës për dialog. Ky i fundit, në këtë fazë të reformës, nuk ka çfarë “të negociojë” edhe po të dojë ta bëjë këtë.
E vërteta e vërtetë është se politika shqiptare nuk është vënë nën presion për të pranuar të “pamoralshmen” apo “kapjen e sistemit”. Arsyetimi se refuzimi i reformës së drejtësisë është një akt sovraniteti, është ironik.
Refuzimi i Reformës së Drejtësisë do të konsiderohet një akt frike i politikës. Historikisht kur politika dhe frika janë bërë bashkë ato e kanë izoluar Shqipërinë. Ata që kuptojnë, e dinë që letra e ambasadorit Lu, nuk ishte “letra e Lu-së”. JO!
Shqipëria është shteti më i sabotuar në historinë europiane. Edhe për këtë arsye, ai është drejtuar nga interesat e politikanëve të cilët krijuan përshtypjen se shqiptarët i “lodh” miqësia më shumë se armiqësia… KJO NUK ESHTE E VERTETE! Letra e Ambasadorit të vendit që ka qenë i gatshëm të bëjë LUFTE për shqiptarët pohon pikërisht këtë fakt.
Në të tilla raste në historinë e çdo vendi ka “histori të pashkruara”. Po kujtoj diçka, i detyruar nga rrethanat. Gjatë Luftës së Kosovës, një politikan shqiptar u dekodifikua si bashkëpunëtor i një shërbimi inteligjent kundërshtar të “shkrirë”. Përballë mosbesimit tim bashkëfolësi i huaj me një të folur cinike më tha shkurt: “Nuk keni pse shfaqni mërzi për njerëz që nuk e meritojnë. Ata janë veç të mërzitshëm në mërzinë e tyre. Janë njerëz pa kohë! Nuk meritojnë asgjë!”…
Të kthesh kokën pas në momente të vështira është gabim. Por, kjo edhe ndodh kur ngjarjet përsëriten- shkruan Majko, deputet i PS, ish- kryeministër