Frrok Çupi/

Në një fshat të thellë të Bulqizës, 18 vetë sapo janë zënë në grackën e borës mbi një metër lartësi. Jeta e tyre sonte kushton veç sa për një lajm. Po shpëtuan vetë, shpëtuan; tjetër nuk kanë ç’bëjnë… T’i bien një telefoni? Kujt?… Të trokasin diku? Ku?…

Kjo është ngjarje reale, por edhe simbolika e marrëdhënies së tanishme mes njeriut dhe qeverisë, mes popujve dhe Europës, mes qytetërimeve dhe qytetarëve. Ku të trokasësh?- kjo është çështja.

Gjatë gjithë këtyre ditëve është perceptuar se vetë kombi shqiptar po rrezikohet nga një “grackë”. Të paktën me atë çfarë thonë mediat dhe politikanët. Po flitet për pragun e një konflikti shtetëror në veri të Kosovës… Heshtje. Po flitet për një provokim të dytë me tren në  Mitrovicë… Heshtje. Po flitet për “aneksim” të Kosovës nga një shtet i fuqishëm. Asgjë, heshtje…

Domethënë  “bulqizakët” e rrethuar nga bora nuk kanë ku trokasin. Kjo është. Bulqizakët në këtë rast janë udhëheqësitë  qeveritare në të dy shtetet me kombësi shqiptare: Kosovë e Shqipëri. Në këtë rast disa mendimtarë strategjish kanë gjetur hapësirë që të ndajnë pjesët: “O Mitrovicë e Metvegjë t’i dorëzojmë në Serbi, o nuk kemi shpëtim”, tha njëri. “Jo- tha tjetri- vetëm njërën, Metvegjën”. I treti tha se “e lëmë fare, bashkohet Shqipëria me Maqedoninë dhe lëre Kosovën”… Të gjitha këto opsione janë shtruar këto ditë gjerësisht në media.

Ka ndodhur si me pazarin, kur mungon dora e shtetit, në fushë hyjnë spekulantë sa të duash.

Çfarë bëjnë qeveritë, ose “shtetet”, siç është bërë e zakonshme të thuhet? Po trokasin ndokund. Ku?.. Në Erupë?… A përgjigjet njeri? Me siguri jo… Atëherë në NATO! As aty nuk trokasin… Po në kambanat kombëtare të alarmit? As këtu; qeveritë nuk mund tu bien kambanave  sepse nuk i beson njeri; askush nuk del në derë…

Individi nuk ka derë qeverie ku të trokasë.. As qeveria nuk ka derë Europe ku të trokasë. Në dy shtetet shqiptare qeveritë janë majtiste (lëre se LDK ka emër të djathtë, qeveria bëhet nga fitimtarët majtistë të Luftës). Në Shqipëri – nostalgjike e majtë… Në Europë qeverisin të majtët: Tusk, Junker, Mogerini…  Megjithatë as të majtëve nuk u hapet derë nga të majtët.

Kjo është Europa sonte, në Europë tani ka vetëm fantazma. Pyetja shtrohet “çfarë ndodhi… Europa hëngri vetveten, apo e ka gërryer e majta?”.

E fundit ku mund të trokitej ishte Angela Merkel, ose të pakën kështu ishte krijuar imazhi. Katër “çunat” e Ballkanit, secili më xheloz se tjetri, haheshin kush e thërret i pari. Tani asnjë telefon as këtu. Zonja Merkel, lidere në një parti të djathtë, por majtiste e ardhur nga Gjermania Lindore e Honekerit,  duket se i hëngri të gjithë të tjerët. Është një ndodhi tipike si në të majtën klasike ku liderët hanë njëri -tjetrin. Ku është sot Matteo Renzi me të cilin bënë plane që ta kthejnë Europën aty ku u krijua? Nuk është… Nuk është as Francois Holande, edhe pse “është”…. Ku është Verner Fayman, kancelar i Austrisë? Ka një vit që nuk është…. Edhe kryeministri majtist i Hollandës sot deklaroi para tumave: “Po të thoni ju, po iki që tani”.

Kudo në Europë, edhe kur janë, në fakt nuk janë… A mendoni se është zoti Tusk? Partia e tij në Poloni “platforma Civile” ka rënë. Edhe zotit Junker i ka rënë në Bruksel paria e tij social- demokrate. Mogerinit i ra kryeministri italian dhe po bëhet gati për zgjedhje ku nuk fiton më… Zinxhiri i rënies në Europë nuk ndalet.

Por për shkak të këtyre që po bien personalisht, është rrënuar Europa. Nuk ka më një telefon ku të thërrasësh as për Kosovën, as për borën, as për drogën. Majtistët e bënë.

Çfarë ndodhi?

1.

Ra rendi i vlerës. E majta shpiku teori vdekjeprurëse, si “barazitizmi”, “meritokracia”, “mercenarizmi”. Me meritokracinë hapi luftën mes egoistëve arrogantë dhe humbësve të egërsuar.

Me mercenarizmin krijuan “terapinë e qenit”; dmth., kush leh për qeverinë ka një punë dhe një shtëpi; të tjerët pa gjë. Por me këta të ‘terapisë së qenit” këta shkuan të flenë se “kemi qentë që na ruajnë” pushtetin. Popuj të tërë u quajtën “dele” dhe “qen”; ne shqiptarët kemi pasur fatin të quhemi “dele”.

Ndërsa me parazitizmin krijuan tregun e “njerëzve të shquar”. I shquar u bë ai që i vuri gishtin qeveria: Ai caktohet në “Soros”, ai caktohet në media, ai ka të drejtë të vjedhë. Europa vetë u kthye në treg: Në Londër shiteshin bankierë holandez; ndërsa në Bruksel shiteshin burokratë strikt gjerman. Absurd… Askush nuk kishte komb dhe atdhe. Shoqëria u bë haptazi e padrejtë.

2.

U çekuilibrua ekonomia. Europa mori kujdestarinë e fajeve të saj për të blerë kombe të tjerë brenda BE. Greqia u skllavërua; pa le që tani duhet të dalë që andej se s’bën. Papunësia mori përmasa të frikshme; ndërsa dyert për emigrantët nga Lindja e Mesme dhe nga Afrika Veriore u hapën në katër kanata. Politika “shtyp tëndin, por ruaj imazhin për botën” është tipike e të majtës. Pas rënies së parë bien edhe Italia, Spanja, mundet edhe Franca. Kush mbeti? Pilar i Europës mbetet Bullgaria! Ironike… Politika e zgjerimit u bë alias majtiste, me hyxhym  për të shtuar “sipërfaqen e mbjellë”.  Në vende si Shqipëria është tejkaluar vëmendja për varfërinë; qeveria as e di si i ka punët populli.

3.

Ra siguria. Europa majtiste, sipas klisheve primitive, e kishte hallin te Ukraina. Natë e ditë “o ç’po na ndodh me Krimenë?!”. Ndërkohë u rrënua vetë Europa. NATO nuk është në gjendje të kryejë misionin e saj për të cilin ka jetuar deri më sot. Sot kryeministri djathtist i Hungarisë, anëtar i BE, propozoi të ngrihet “ushtria e Europës”, sepse NATO nuk përballon përgjegjësitë. Kush i ruan qytetarët në Europë? Edhe në Gjermani, zemra e Europës,  48 përqind e grave deklarojnë se nuk dalin nga shtëpia pa një tufë me çelësa në duar ose pa një “peper spray” në xhep… të tjerat i pret babai ose burri te stacioni i trenit.

Këtë bëri elita e majtë liberale në Europë. Projekti i saj madhor ishte të shtetëzonin elitën qeveritare. Domethënë qeveria të mbahet nga pasuria e publikut si shushunjë. Ky ishte traktati i fundit me veten. Por elitat ranë; tani është çështja e qytetërimit në kontinent. Majtistët, tek po shikojnë se vjen stuhia e të djathtës, kanë ngritur nga koha një thënie të Garibaldit: “E vjetra vdiq, por kur po lind e reja…”.

/Veritas.com.al/