Deri ku do të shkojë Rexhep Tajip Erdogani? Gjyqi i nëntë intelektualëve turq, ndër të cilët edhe shkrimtarja Asli Erdogan, që fillon sot, e enjte 29 dhjetor, në Stamboll, është një demonstrim i ri i shkarjes në autoritarizëm dhe racizëm të Presidentit të Turqisë, i larguar gjithnjë e më shumë nga Evropa. Ai tregon gjithashtu tregon se deri në ç’pikëështë bërë shkatërruese për të dhe vendin e tij makthi kurd i këtij lideri që dominon skenën politike turke që nga viti 2003.

Autore e talentuar romanesh të përkthyer në disa gjuhë, znj. Erdogan (asnjë lidhje fisnore me presidentin turk), e arrestuar që nga 17 gushti, rrezikon dënim me burgim të përjetshëm për “cënim të integritetit të shtetit” dhe për përkatësi me një “organizatë terroriste”. I vetmi krim i kësaj intelektualeje 49 vjeçare, në të vërtetë, është se ka kritikuar pushtetin në një të përditshme, Ozgur Gündem, e akuzuar për mbështetje të PKK-së, lëvizja e armatosur e rebelimit kurd. Pesë të pandehurit e tjerë janë në arrati, tre të tjerët, përfshi Asli Erdogan, janë ndaluar. Viktimat e këtij spastrimi gjigant të ndërmarrë nga Presidenti Erdogan pas grushtit të dështuar të shtetit të 15 korrikut numërohen sot me dhjetëra mijëra: afërsisht 40 000 njerëz janë vënë nën akuzë, pa llogaritur ata që janë shkarkuar nga postet e tyre. Rreth 160 media dhe mbi 500 shoqata janë mbyllur.

Një ofensivë e përgjithshme

Lufta në Siri dhe pasojat e saj rajonale kanë shkaktuar një egërsi të Erdoganit ndaj çështjes kurde. Ajo që në thelb ishte një problem i brendshëm, me një komunitet që përbën 15% deri 20% të popullsisë së Turqisë, u bë për Presidentin turk një problem rajonal, nga momenti që aleatët perëndimorë të Turqisë u mbështetën tek luftëtarët kurdë sirianë për të ndërmarrë ofensivën e tyre kundër organizatës së shtetit islamik në Siri.

Fitorja kurde në Kobane, në Siri, në janar 2015, e ka përkeqësuar shqetësimin e tij se lëvizjet kurde në Turqi dhe Siri po bashkojnë forcat. Në qershor 2015, në zgjedhjet parlamentare në Turqi, partia kurde HDP (Partia Demokratike Popullore) arriti një rezultat pa precedent prej 13% të votave, duke e privuar AKP-në e Erdoganit të kishte shumicë absolute. Gjatë verës, kryengritjet e nxitura nga PKK-ja në qytetet e Turqisë juglindore kanë rritur tensionin; zgjedhjet e reja të organizuara në nëntor 2015 nuk arritën të asgjësojnë ndikimin e HDP-së.

Tentativa e grushtit të shtetit e 15 korrikut, që Presidenti Erdogan ia atribuon  kundërshtarit të tij në mërgim në SHBA, Fethullah Gylen, i dha mundësinë për një ofensivë të përgjithshme kundër lëvizjes politike kurde. Liderët HDP-së, të cilët e dënuan megjithatë grushtin e shtetit, u larguan nga vendet e tyre në parlament: të dy bashkë-kryetarët e partisë, shumë deputetë dhe kryetarë komunash janë tashmë në burg.

Duke i kthyer shpinën Evropës dhe aleatit të tij tradicional amerikan, presidenti turk po lidh sot një partneritet me Rusinë dhe Iranin në favor të konfliktit sirian. Por rezulton se Turqia është anëtare e NATO-s dhe Këshillit të Evropës. A mund të pretendojë ajo që ta harrojë  këtë? Të martën, më 27 dhjetor, Erdogani akuzoi Perëndimin për mbështetje të Shtetit Islamik në Siri. Nëse kjo është një lojë e projektuar për t’i bërë përshtypje administratës së ardhshme amerikane, plotësisht të paparashikueshme, nuk ka asnjë garanci që kjo të mos i kthehet kundër vetë presidentit turk.

/Veritas.com.al/