Varianti Delta i COVID, ose siç njihet ndryshe ai indian, mund të ketë hyrë në Shqipëri. Për këtë, ka disa sinjale të pazakonta për të cilat një sërë mostrash do të dërgohen në Gjermani, për të arritur deri në një përfundim zyrtar. Ka qenë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ajoi që bëri të ditur këtë lajm, teksa bëri thirrje që të mos neglizhohet vaksinimi anti-COVID.
“Në Institutin e Shëndetit Publik janë duke u bërë analizat dhe është vlerësuar që një seri mostrash, të cilat janë identifikuar si sinjale të pazakonta, të çohen në Laboratorin e Referencës në Gjermani, për të bërë vlerësimet e mëtejshme dhe për t’u bërë sekuencimi genomik, në mënyrë që të shihet nëse ka një qarkullim të mundshëm të variantit Delta në Shqipëri. Jam këtu për të nxitur edhe njëherë vaksinimin, në qendrat shëndetësore, në ambulanca, në qendrat e vaksinimit të përqendruar. Tashmë, duke filluar nga fundjava dhe në vijim, edhe me njësitë lëvizëse, të cilat do të jenë në territor dhe do të ndihmojnë për vaksinimin në zonat ku kemi xhepa ende të pavaksinuar”, bëri me dije Manastirliu.
VERITAS.COM.AL