Pas protestave të dhunshme të ultra të djathtëve për shkak të masakrës së Southport më 29 korrik, qytetarë të shumtë dolën në rrugë në shumë qytete në Mbretërinë e Bashkuar, duke marshuar në mënyrë paqësore. Gjithçka u organizua në përgjigje të protestave të planifikuara të së djathtës ekstreme, të cilat u anuluan në minutën e fundit. Në Londër, Bristol, Oxford, Liverpool, Birmingham, turma të mëdha paqësore u mblodhën për t’i thënë jo racizmit që ka pushtuar sheshet britanike, ditët e fundit.

Nëntë ditë pasi vendi u trondit nga sulmi me thikë ndaj tri vajzave dhe trazirat që pasuan, antiracistët u përgjigjën duke formuar mburoja njerëzore për të mbrojtur qendrat e azilit, pasi policia ngriti alarmin për 100 mitingje të udhëhequra nga ekstremistët. Rreth 5000 oficerë kishin hartuar planin për t’u përballur me një demonstratë të planifikuar kundër qendrave të refugjatëve dhe firmave ligjore që punojnë për migrantët, por protesta u anulua në momentet e fundit.

Kryetari i Londrës, Sadiq Khan, falënderoi të gjithë ata që morën pjesë në demonstratat paqësore, si dhe policinë për demonstrimin se kryeqyteti britanik është i sigurt dhe qëndron kundër urrejtjes.  “Për ata që dolën në mënyrë paqësore për të treguar se Londra qëndron e bashkuar kundër racizmit dhe islamofobisë, faleminderit! Për forcën tonë heroike të policisë që punon për të mbajtur londinezët të sigurt, faleminderit! Dhe për ata banditë të së djathtës ekstreme që ende synojnë të mbjellin urrejtje dhe ndarje, nuk do të jeni kurrë të mirëpritur”, shkroi ai në X.