Ashtu siç kishin paralajmëruar sot maturatët kanë dalë para Ministrisë së Arsimit, për të protestuar, pasi sipas tyre provimi i matematikës ishte jashtëzakonisht i vështirë dhe nuk ishte marrë parasysh fakti që një pjesë të mirë të shkollës e kanë bërë online.
Me pankarta në duar dhe të ulur këmbëkryq para Ministrisë ata kërkojnë ndryshim të pikëve, pra të ulet pragu nga 60 në 50 për të marrë 10, si dhe përsëritja e testit.
Në njoftimin e ditës së djeshme ku thirrën protestën, të rinjtë pretendojnë se e ardhmja e tyre është prekur nga papërgjegjshmëria e MASR, ndërsa shtojnë se e ardhmja e tyre vlen më shumë se rrogat e zyrtarëve.
Në mbështetje të maturantëve kanë dalë edhe qytetarë të tjerë.
Nga qendra e shërbimeve arsimore, drejtorja e saj Rezana Vrapi ka deklaruar rreth gjysmë ore se testi nuk ka qenë i vështirë, por mesatar. Ato kanë pranuar se kanë marrë disa pyetje nga jashtë se edhe vetë tekstet janë të përkthyera në nivele ndërkombëtare.
Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi ka reaguar përmes rrjetit social duke dhënë mbështetjen ndaj maturantëve që kanë protestuar mbi shqetësimin e tyre për testin e matematikës.
Një postim në facebook, Kushi tha se do të ketë rishikim të mënyrës së vlerësimit vetëm në rast se do të dilet në përfundim se testimi tejkalon nivelin e parashikuar.
“Të dashur maturantë,
Siç ju kemi premtuar, ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Në këto momente, jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit.
Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës!” shkruan Kushi.