Përfaqësuesi i delegacionit të BE-së në Tiranë, Luiggi Soreca ka folur për çështjen e Teatrit Kombëtar, që është kthyer sërish në temën kryesore të ditës dhe më të diskutuarën. Soreca e ka konsideruar çështjen e teatrit si shumë të rëndësishme dhe ku janë përfshirë shumë ndjesi dhe interesa.

“Për këtë arsye është një çështje delikate edhe e politizuar”, thotë Soreca.

Ambasadori theksoi se nuk mund të mbajë një pozicion nëse godina duhet shembur ose jo, por shtoi se Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Qeverisë shqiptare që të jetë transparente në këtë çështje.

“Nuk duhet të jemi ne ata që themi nëse duhet të ketë një ndërtesë të re ose jo, këtë e kanë përgjegjësi autoritetet shqiptare. Ashtu sikur e dini edhe ju pozicioni ynë ka qenë i qartë që nga shtatori i vitit të shkuar, BE i ka bërë thirrje qeverisë që të jenë transparent edhe pa qasje diskriminuese në treg. Ky duhet të jetë parimi që duhet të udhëheqë autoritetet shqiptare, prandaj është lancuar edhe tenderi për më tej.

Mendoj se është shumë e rëndësishme që të ketë kritere të qarta edhe transparente, edhe të ketë një qasje të drejtë për këtë çështje. Ajo që është e rëndësishme për ne është sundimi i ligjit, procedurat e tenderit duhet të jenë në përputhje me ato të BE-së, mesa di tenderi është i hapur deri në 19 shtator. E rëndësishme është edhe konkurrenca e lirë dhe e drejtë”, deklaron Soreca.

Veritas.com.al/