(FOTO: Avioni kolumbin që ra në Medelin)

Mediat braziliane vazhdojnë të sjellin detaje rreth tragjedisë ajrore në Kolumbi, ku  humbën jetën 71 persona, midis  të cilëve dhe sportistë të skuadrës braziliane “Chapecoense”.

Sipas informacioneve më të reja, piloti i avionit ka kërkuar me anë të radios, që të ulet urgjentisht pasi i kishte mbaruar karburanti- sipas gazetës “Illyria”. Por, prioritet për t’u ulur i është dhënë një avioni tjetër të kompanisë “VivaColombia”, i cili kishte sinjalizuar një problem teknik.

Ky informacion u është dhënë gazetarëve nga disa anëtarë të ekuipazheve të avionëve të tjerë që kishin mbërritur në vendngjarje, në Medelin.

Burime të tjera, të cituara nga mediat kolumbiane, bëjnë të ditur se piloti i avionit, para përplasjes, i kishte thënë kullës së kontrollit se kishte dhe probleme elektrike, por radio në këtë moment është fikur.

Në Kolumbi janë publikuar fjalët e sakta të pilotit me të cilat ai e kishte lajmëruar kullën e kontrollit për problemin që do të çonte në tragjedi, pak sekonda më vonë.

“Zonjushë, jemi në avari totale, avari elektrike totale, pa karburant”, citohet të ketë thënë piloti.

Në regjistrimin audio dëgjohet kontrollori i fluturimit, i cili konfirmon se pista për uljen emergjente është e lirë dhe në funksion si dhe që zjarrfikësit janë njoftuar. Por, kur pyet sërish për pozicionin dhe lartësinë e avionit, piloti nuk i përgjigjet më.

Tekniku bolivian i fluturimit Eruin Tumiri, një nga të mbijetuarit e përplasjes, ka shpjeguar se arriti të dilte i padëmtuar pasi ka ndjekur në mënyrë shumë strikte udhëzimet e sigurisë. Ai ka treguar për medien se shumë pasagjerë ishin ngritur nga sediliet e tyre dhe kishin nisur të ulërinin. Ndërsa ai e kishte vendosur kokën mes këmbëve, në pozicionin e fetusit, ashtu si dhe rekomandohet.

Autoritetet kolumbiane në Medelin thonë se stjuardesa boliviane Ksimena Suarez, një tjetër e mbijetuar, ka treguar se dritat në avion ishin fikur një minutë para përplasjes me malin.

Përveç dy anëtarëve të ekuipazhit, në këtë tragjedi kanë shpëtuar dhe futbollistët e “Chapecoense” Alan Ruschel, Jackson Follmann e Hélio Neto si dhe gazetari Rafael Henzel, të gjithë të shtruar në spital në gjendje kritike për jetën. Portierit Follmann i është amputuar njëra këmbë, si pasojë e plagëve të rënda.

/Veritas.com.al/