Ditën e sotme 20 qershor, Kosova dhe Shqipëria do të mbajnë mbledhjen e 8-të të përbashkët qeveritare, ku pritet firmosja e disa marrëveshjeve.

 Në axhendën e bërë publike, pritet që gjithçka të nisë në orën 11.15, për të vijuar me fjalë të mbajtur nga 2 kryeministrat, Edi Rama dhe Albin Kurti, e më pas nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim. Pas ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjeve, do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.Ministrat e qeverisë janë nisur me furgon drejt Prishtinës për mbledhjen e tetë mes dy qeverisë asaj të Shqipërisë dhe Kosovës.

Kryeministri Edi Rama mbërriti në Kosovë një ditë më parë, nga ku premtoi se do të hiqen të gjitha detyrimet doganore për të gjitha mallrat nga Kosova që do të vijnë në Shqipëri. Megjithatë nuk dha një datë se kur do të vihet në zbatim heqja e të gjitha tarifave doganore.

Rama tha se nuk ka kuptim që të hiqen tarifat doganore me Ballkanin e Hapur dhe jo me Kosovën. Kreu i qeverisë vizitoi edhe familjen e ish-kryeministrit Hashim Thaçi, i cili është në paraburgim në Hagë.

Mbledhja e fundit ka qenë në muajin nëntor të vitit të kaluar, ku Shqipëria dhe Kosova nënshkruan 13 marrëveshje të reja në mbledhjen e përbashkët e dy qeverive në qytetin e Elbasanit.

Ceremonia zyrtare e pritjes

11.15 – Hapja e sesionit plenar të mbledhjes së dy qeverive Kosovë – Shqipëri

Fjalë e z. Albin Kurti, Kryeministër i Republikës së Kosovës

Fjalë e z. Edi Rama, Kryeministër i Republikës së Shqipërisë

Fjalë të shkurtra nga anëtarë të dy kabineteve për të parashtruar çështjet kryesore dhe marrëveshjet për nënshkrim

12.20 – Prezantimi nga z. Eric SMIT, Drejtor i “Royal Haskoning DHV”

Infrastruktura portuale dhe hekurudhore kombëtare në funksion të tregut të përbashkët kombëtar dhe katër lirive ekonomike: Projekti i Portit të ri tregtar në Porto Romano, integrimi me hekurudhën Durrës – Prishtinë, dhe Porti i thatë në Kosovë.

12.30 – Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare

12.45 – Konferencë e përbashkët për shtyp e dy Kryeministrave

18.00 – Promovimi i librit “Përplasja e Madhe” të Enver Hoxhaj