
Këshilli i Ministrave në mbledhjen e zhvilluar sot më 23 korrik ka marrë disa vendime.
Qeveria ka vendosur të financojë më 10 milionë lekë Federatën e Skive për mbështetje dhe përgatitje për pjesëmarrje në Lojërat Olimpike Dimërore që do të zhvillohen vitin tjetër në Milano.
Po ashtu Këshilli i Ministrave ka transferuar në pronësi të Korporatës së Investimeve Shtetërore tokën për realizimin e projektit “Expo Albania”.
Projekti i ri i “Expo Albania”, do të jetë një qendër shumëfunksionale për organizimin e panaireve, ekspozitave të artit, kulturës, historisë, konferencave dhe takimeve të ndryshme.
Në vendimet e sotme, qeveria ka vendosur ndër të tjera të ngarkojë Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për prokurimin që do të bëhet për krijimin e hapësirave të reja për Arkivin e Kryeministrisë.
Ministrat vendosën edhe për disa ndryshime dhe shtesa në një vendim të vitit 2015 për rregulloren e zhvillimit të territorit. Shtesë ka edhe në vendimin e Këshillit të Ministrave për mënyrën e organizimit të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit.
Në të njëjtën kohë ka edhe disa shpronësime. Bëhet fjalë për pronat që preken nga ndërtimi i linjës 110 KV Gjiri i Lalëzit-Fushë Kuqe, me një vlerë totale prej 630 mijë e 224 lekësh. Po ashtu është vendosur vlera e shpenzimeve edhe për qendrën multifunksionale në Luginën e Vjosës që do të shërbejë si stacion i informimit.
Vendimet janë marrë në mungesë të kryeministrit Rama, por me porosi të tij dhe me firmë të zëvendëskryeministres, Belinda Balluku.
Komente