Koment/
Presidenti Ilir Meta prej ditësh tashmë ka marrë përsipër edhe një herë tjetër që të sulmojë shtetin në zemrën e tij, në Kushtetutë. Jo vetëm kaq, por ka arritur deri në atë pikë sa sulmon edhe përfaqësuesit e ambasadat në Shqipëri dhe bën edhe thirrje që një nga rrugët e zgjidhjes së krizës në vend është armatosja e popullit.
Po përse Meta po sulmon shtetin?
Presidenti është në ethet e një shkarkimi për shkak të shkeljeve të rënda që i ka bërë Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë që me anullimin e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit. Meta e sheh shkarkimin si një nga dështimet e tij më të mëdha në karrierë, dhe i ardhur nga kundërshtari i tij më i madh në politik, prej dekadash tashmë, Kreu i Shtetit e interpreton si humbjen më të madhe.
Nga ana tjetër, shkarkimi do të thoshte hapje e rrugës së drejtësisë për të gjykuar Metën për të gjitha zullumet që ka bërë në kurriz të Shqipërisë. Me SPAK dhe BKH në ardhje Meta dhe ish-kryeministri Berisha që takoi dje, janë dy banditët më të mëdhenj të kombit të cilët do të jenë të parët që do hetohen. Pra Meta nuk e ka luftën e tij thjesht për ekzistencë politike, por për ekzistencën e tij si individ i lirë e i “papërlyer”.
A do guxonin të dilnin ambasadat kundër Kushtetutës së Shqipërisë?
Presidenca ka ndërmarrë edhe një ofensivë ndaj palës ndërkombëtare pasi po përpiqen të luajnë rolin se ata janë të vetmit gardianë të sovranitetit që i ka mbetur vendit. Pak ditë më parë, Meta shpalli “non-grata” në Presidencë ambasadorin e OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt me justifikimin se ai është një “leckë e Ramës”. Meta e përdori edhe për ambasadorë të tjerë këtë term, ku theksoi se kushdo që mbështet KED për përplasjet në Kushtetuese është i korruptuar. Gjithashtu ditën e sotme zëdhënësi i tij Tedi Blushi sulmoi ambasadën amerikane që këshilloi që Shqipëria ta çojë çështjen e Kushtetueses në Komisionin e Venecias.
“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtësi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar!” – shkruante Tedi Blushi në Facebook.
Por, me një kalkulim të thjeshtë, asnjë ambasadë e huaj nuk do të merrte koston që artikulon Meta, askush nuk do mbështeste kryeministrin apo të sulmonte Presidentin pa patur parasysh Kushtetutën. Asnjë ambasador nuk do të kishte guximin që të sulmonte institucionet shtetformuese dhe aktet që e ndihmojnë këtë të fundit në raport me interesat e ngushta. Por Meta vazhdon dhe vazhdon pasi në mendjen e tij është shpërndarja e parlamentit, çka do të krijonte një tjetër ngërç kushtetues në vend.
A do t’ia dalë Meta?
Shanset janë të pakta! Ekspozimi që po i bën Meta vetes kundër Reformës në Drejtësi e ka vënë atë në shënjestrën e ndërkombëtarëve dhe sulmi ndaj amerikanëve është një shenjë e qartë se Meta po e ndjen fundin, por po përpiqet të shpëtojë ç’të mundet nga një karrierë politike aspak për t’u admiruar dhe një instikt kriminal në raport me shtetin që shpërblim duhet të ketë vetëm burgun. /Pamfleti