Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni pritet të mbërrijë sot pasdite në Vlorë. Gazetari i Report Tv, Ermal Qori ka mësuar se Meloni do të qëndrojë për pushime në Vlorë për afro 2-3 ditë së bashku me familjen e saj. Meloni është nisur nga Brindizi drejt Shqipërisë me një traget linje. Kryeministrja italiane ndërpreu pushimet e saj në Pulia, në një fermë pranë Ceglie Messapica dhe u nis për në Shqipëri.

Meloni i është përgjigjur ftesës së Ramës, i cili pak ditë më parë tha për mediat italiane se e ka ftuar kryeministren italiane që të pushojë në Shqipëri. Madje Rama e konsideroi si motrën e re të Shqipërisë.

“Jam një vëlla i vjetër i Italisë, dhe kështu ndihem shumë afër Xhorxhias dhe më duket se ajo është një motër e re e Shqipërisë”, tha Rama La7.

Mediat italiane shkruajnë se Meloni do të jetë në Shqipëri bashkë me bashkëshortin e saj Andrea Giambruno, vajzën e saj Ginevra dhe ndoshta edhe me motrën e saj Arianna dhe bashkëshortin e saj ministër, Francesco Lollobrigida. Në axhendë është planifikuar edhe një vizitë private me kryeministin Rama në rezidencën qeveritare. Meloni është nisur mëngjesin e sotëm për në Vlorë me tragetin “Prince” në pronësi të një kompanie shqiptare dhe i shoqëruar nga një grup i vogël miqsh dhe bashkëpunëtorësh.

Vizita e Melonit në Vlorë, vjen në një moment kur mediat italiane i kanë kushtuar shumë artikuj vendit tonë, ndërsa këtë vit shumë italianë kanë preferuar që pushimet t’i kalojnë në Shqipëri. Madje edhe kryeministri Rama ka dhënë disa intervista për mediat italiane për bumin e turistëve, pas një fotoje që ai publikoi duke paralelizuar eksodin e shqiptarëve në vitin 1990 drejt barit me turistët italianë që po vijnë në vendin tonë. Kreu i qeverisë ka bërë me dije se po arrihet shifra rreth 500 mijë italianë që kanë vizituar Shqipërinë këtë vit.