Frrok Çupi/

Ndodhi si me pikën e ujit që derdhi gotën. Zonja Merkel e kishte mbushur historinë; kjo  e Krishtlindjeve ishte thjesht pika e fundit.

Sulmi terrorist në një treg Krishtlindjesh, që vrau 12 vetë- kjo ishte e fundit. Edhe sikur vetëm një njeri të ishte vrarë- kjo nuk kishte më peshë për nga numri; Merkelit i erdhi  çasti i pikës së fundit. Mediat e Perëndimit thonë se ajo e humbi kontrollin mbi situatën; dhe politika e brendshme po i kërkon dorëheqjen.

Në Krishtlindje po i bëhet veç kryqëzimi. Ndërsa rënia ishte konstatuar kohë më parë. Merkel- si të gjithë ata që nuk duan të dorëzohen, ra duke “u ngjitur”.

Tre momentet e fundit të ngjitjes:

1.Pritja pompoze e Hillary Clinton nga ku mori nofkën “politikane e shkëlqyer”. Clinton i mori 4.5 milionë dollarë “për Fondacionin” dhe fluturoi. Kjo ndodhi me 30 Shtator 2016. Clinton ishte e sigurt në rrugën për Shtëpinë e Bardhë. Të dyja gratë më të fuqishme të botës bënë planin për “të rrafshuar majat”.

2.Ndodhi me 17 Nëntor 2016: Pritja melankolike e presidentit Obama që po linte Shtëpinë e Bardhë, dhe një fytyrë e Merkelit që dukej se thoshte: “Shko ti, tani jam unë!”. Detyra e zellshme e Merkel u bë rrafshimi i vlerave perëndimore dhe kujdestaria për liberalët evropianë kundër djathtistëve.

3.20 nëntor 2016: Vendimi i zonjës Merkel për mandatin e katërt si kancelare e Gjermanisë. Helmuth Cohl që e kishte rritur, tani i dukej si një liliput. Kjo ishte pika e fundit e lartë nga ku ra zonja Merkel. Që atë ditë që kandidoi, u detyrua të kundërshtojë veten: “Të kthehen emigrantët!”- urdhëroi- për një milionë “bijtë” e saj.

Akti terrorist i Krishtlindjeve është veçse pika e fundit në gotë. Akte terroriste si ky janë konstatuar disa në Gjermani, nën perandorinë “emigrantiste” të nënës Merkel; por ky i fundit ishte kryqtar. Gjermania- shteti që shihej si qendra e botës së sigurt, u bë një shportë ku mund të hynin terroristë, përdhunues, banditë, vrasës, vjedhës… Në fakt nuk u thye Gjermania në sy të Botës, por Bota u thye në vetvete kur u konstatua ky tmerr. Edhe kur qeveria në Tiranë mbillte drogë, edhe kur sirianët vriteshin me bomba,-njeriu mendonte një të mirë të botës: Gjermania e begatë dhe e sigurt! Por edhe kjo ra. Në epokën e Merkel, kur po kërkonte mandat të katërt, atëherë ndodhen krime që kurrë nuk harrohen në Gjermani:

Në prag të vitit të Ri 2015 qindra ngacmime seksuale, mes të cilëve 24 përdhunime dhe grabitje të panumërta u raportuan në Gjermani, kryesisht në Këln. Por edhe në Hamburg, Frankfurt, Dortmund, Düsseldorf, Stuttgart dhe Bielefeld.

Në 18 Qershor 2016: Një 17- vjeçar refugjat nga Afganistani përdori sëpatë dhe thika për të sulmuar pasagjerët e trenit në jug të Gjermanisë duke i plagosur rëndë disa para se ta vriste Policia.

Në 22 korrik 2016: Një 18 vjeçar i armatosur, i lindur në Iran, vrau nëntë njerëz në Munich.

Në 24 Korrik 2016, një 21 vjeçar, refugjat Sirian, vrau me hanxhar një grua shtatzënë dhe plagosi dy të tjerë në qytetin Reutlingen, afër  Stuttgart.

Në të njëjtën ditë, një 27 vjeçar refugjat Sirian plagosi 15 vetë teksa hodhi veten në erë në oborrin një selie arti në Ansbach, jug i Gjermanisë.

Në 19 Dhjetor 2016- një kasaphanë me 12 të vrarë dhe shumë të plagosur, teksa disa rrufisnin pak verë ose të tjerë blinin mallra për Krishtlindje në Berlin…

Ja ku jemi sot, bash në momentin kur Merkel ra teksa u ngjit “në majë”.

Me arritjen në Gjermani të 1.3 milionë emigrantëve i ka dhënë hov rritjes më të madhe të partive nacionaliste që në periudhën e Luftës së Dytë. Që në shtator, para se të shpallte kandidaturën, mbështetja e Merkel kishte rënë nën 45 për qind; sot është disa herë më e ulët. Veç në pak kohë, Gjermania u ndje në konfuzionin dhe deziluzionin Merkel

“Konfuzioni dhe sulmi terrorist më vete, janë pasoja të politikave pro-emigracion të Angela  Merkel”- shkruante Pamela Geller, opinioniste në Shtetet e Bashkuara, që mbështeti presidentin Trump. “Ajo po lë një katastrofë në Gjermani. Si mund të guxojë për kandidim tjetër?…”.

A mundi të bindë Gjermaninë, zonja Merkel, se “ndryshova, u bëra e mirë!”?

Këtë u përpoq të bënte kancelarja sapo rikandidoi për mandatin e katërt. Mohimi i parë i vetes: “Një fluks kaq i madh refugjatësh nuk do të ndodhë më” (Sikur nuk e kishte krijuar vetë!). Të nesërmen tha se “brenda vitit do të largohen, edhe me forcë, 100 mijë emigrantë… Po a i bindi gjermanët?!… Me 14 tetor, para “4 djemve të Ballkanit” , Merkel e ktheu fjalën e dhënë në konfuzion, se do t’i “pranonte në BE”. Ramës së Tiranës dhe Vuçiç të Serbisë iu tha: “Shkoni në shtëpi e luftoni krimin”. Droga e mbjellë në Shqipëri do të mbulonte gjithë Evropën dhe karrierën e Merkel. Kjo tha “stop!”. Por a e bindi Europën?…

Robert Spencer, autor i logut “Jihad Watch” dhe David Horowitz  i “Freedom Center”, thanë se Merkel është dobësuar gjithashtu nga vetë luhatjet e saj dhe nga mos- kokëçarja ndaj partive popullore kundër emigracionit, që po rriteshin në Gjermani…

Merkel mori përsipër  që edhe e vetme të mbronte “establishmentin” e  klasës politike të liberalëve në Europë- që ishin shkëputur nga populli dhe interesat e tij. Edhe pse bota po shkonte në drejtimin e eliminimit të establishmnentit- si një burokraci antipopullore, Merkel qëndroi kundër frymës, duke vënë Gjermaninë si parzmore personale. Presidenti që po vinte në Amerikë, Donald Trump, kishte në pararojë sloganin “Dry the Swamp”, ndërsa Merkel  “Slided into the Swamp!”.

Të tjerët e kishin lënë, por Merkel nuk shikonte çfarë ndodhte, për shkak të “ngjitjes” ku po binte. Iku kryeministri i Britanisë, Cameron; iku kryeministri i Italisë, Renzi; iku presidenti i Francës, Holande… Merkel mbeti vetëm.

Duket se fati i saj ka ngjashmëri të frikshme me të zonjës Hillary Clinton.

Kur u ndanë ditën e fundit, të dyja gratë më të fuqishme të Botës dukeshin të përmalluara; tani lotët e tyre mund të lexohen si ogur i përafërt.

Ishte zonja Clinton, e para First Lady që ftoi “Vëllazërinë Myslimane” në Shtëpinë e Bardhë në vitin 1996. Atë ditë i ftoi që tu bashkohet në Iftar- një mbrëmje ceremoniale e fundit të Ramazanit.

Zonja Merkel, si zonja Clinton, ftoi,  po nga Lindja e Mesme, një milionë e ca emigrantë, pa e ditur çfarë ishin e si ishin, por “jeni në shtëpinë tuaj!”, me kufij të hapur.

Tani Gjermania ka të njëjtën rënie, por që është e lidhur me Merkel.

 

/Veritas.com.al/