Koment/

“Më merr me vete në shtëpi të lutem. Më ka marrë shumë malli, babi”. Kjo ishte letra e vetme që Alvini i vogël i kishte dërguar nga Siria, babait të tij Afrim Berisha, duke i kërkuar ta shpëtonte nga lufta në Lindjen e Mesme. Sot, pas 5 vitesh, lutjet e tij kanë marrë fund.

I rrëmbyer nga e ëma, në moshën 6-vjeçare, Alvin Berisha u gjend mes luftës në Siri, për t’u rritur mes masakrave dhe tmerreve të Shtetit Islamik. Pas pesë vitesh nën kalifatin e ISIS-it, ku humbi edhe të ëmën, Alvin Berisha duket se do të bashkohet më në fund me të atin. Ditët e Alvinit në kampin Al Hol kanë marr fund, pasi 11-vjeçari udhëton sot drejt Romës, ku e presin krahët e ngrohta të të atit, Afrim Berishës.

Lajmi bëhet i ditur nga Bedri Elezi, drejtor i Institutit për Studime Ndërkombëtare në Kosovë, i cili thotë se është vënë prej ditësh në kontakt me autoritet kurde për ta kthyer Alvinin e vogël, në shtëpi.

“Urime, Alvini së shpejti në Romë”, shkruan Elezi në një postim në Facebook, ku ka shpërndarë një shkrim të gazetës britanike “The Independent” për punën e organizatës së tij mbi kthimin e shqiptarëve nga Siria në shtëpi.

Zoti Elezi edhe më herët ka shpjeguar se si ka arritur që të sjellë në Kosovë disa persona, të cilët prej kohësh gjendeshin të bllokuar në kampet në Siri. Elezi ndërkohë është ofruar që të ndihmojë qeverinë shqiptarë të kthejë në shtëpi fëmijët dhe gratë e bllokuar në kampin Al-Hol, duke thënë se ka komunikuar me zyrtarë kurdë, të cilët ishin të gatshëm të ndihmonin Shqipërinë në këtë proces. Burime të ndryshme jozyrtare bëjnë të ditur se Alvini është nxjerrë tanimë nga kampi Al-Hol në Siri dhe ndodhet në një vend të sigurt. Operacioni për shpëtimin e Alvinit u realizua në bashkëpunim me Gjysmë Hënën Siriane, Kryqin e Kuq Ndërkombëtar dhe autoritet italiane e shqiptare.

Veritas.com.al/