
Kreu i CDU-së Friedrich Merz dështoi në raundin e parë të zgjedhjeve për kancelar. Siç njoftoi presidentja e Bundestagut Julia Klöckner (CDU) të martën, Merz mori vetëm 310 vota – gjashtë më pak se sa duhej. Më pas seanca e Bundestagut u ndërpre; në raundin e dytë të votimit, Merzit do t’i duheshin sërish 316 vota, ndërsa në raundin e tretë do të mjaftonte një shumicë e thjeshtë.
Si veprohet me procedurat
Nga Bundestagu në rezidencën presidenciale Bellevue – e pastaj nga Bellevue në Bundestag: këto janë stacionet në zgjedhjen e kancelarit gjerman sot dhe fillimin nga puna të kabinetit të ri qeveritar pas betimit.
Nëse çdo gjë shkon sipas planit, marrin fund sot gjashtë muaj ngërç politik në Gjermani. Pikërisht gjysmë viti pas prishjes së koalicionit mes socialdemokratëve, të Gjelbërve dhe liberalëve (koalicioni i njohur si semafor) do të niste punën sot koalicioni i pestë i Unionit konservator dhe socialdemokratëve, (zi-kuq).
Në rast se kreu i CDU-së Friedrich Merz sot merr numrin e nevojshëm të votave në Bundestag do të veprohet kështu:
Në orën 09:00 mblidhet Bundestag për zgjedhjen e kancelarit, hapja e seancës bëhet nga presidentja e tij, Julia Klöckner dhe nuk ka fjalime. Friedrich Merz ka nevojë për miratimin e shumicës së anëtarëve të Bundestagut, 316 vota. Në Bundestag ka 328 deputetë nga CDU/CSU dhe SPD. Pavarësisht se diferenca e numrave nuk është e madhe, zgjedhja në raundin e parë konsiderohet si mjaft e sigurtë. Më pas kancelari i zgjedhur (10:30) merr emërimin nga presidenti Steinmeier.
Vizitat e para
Nëse zhvillimet ecin sipas planifikimit, që të mërkurën, ditën e parë të plotë si kancelar i ri, Merz do të vizitojë fillimisht Francën dhe më pas Poloninë. Ministri i tij i Jashtëm, Johann Wadephul mendohet ta shoqërojë atë. Të premten, Merz planifikon të udhëtojë në Bruksel për t’u takuar me Presidenten e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte./dw
Komente