Një ngjarje që duket se e ‘përndjek’ Britaninë e Madhe është dyndja e emigrantëve drejt saj, qoftë legale apo ilegale. E duket se kjo dyndje, për herë të dytë, ka nxitur tragjedi në kanalin e La Manshit. Këtë të mërkurë, disa emigrantë rreth 50, u fundosën në varkën e tyre duke raportuar një bilanc prej 4 të vdekur dhe 43 të shpëtuar, megjithatë në gjendje të rëndë shëndetësore. Pas shpëtimit, ata u transportuan drejt Britanisë së Madhe. Burime për Report Tv bëjnë me dije se në mesin e 43 të shpëtuarve është edhe një shqiptar.
Sekretarja e Brendshme, Suella Braverman ishte e para që reagoi për ngjarjen ku përmes një postimi në rrjete sociale, u shpreh se është një situatë shumë shqetësuese. I nxitur nga ngjarja e rëndë, kryeministri britanik, Rishi Sunak u shpreh se bandat kriminale janë duke përdorur njerëzit e thjeshtë dhe pa mundësi ekonomikë për të përfituar, por duke vënë në lojë jetën e tyre.
Mediat e huaja nxorën edhe dëshmi të ndihmës së parë që iu dha emigrantëve. Në një intervistë për Skynews një peshkatar na jep panoramën e Luftës së Dytë Botërore, e po ashtu, në të njëjtin kaos, edhe emigrantët patën të njëjtat britma e frikë, për ‘ëndrrën britanike’.
Ai rrëfeu se, ata që shpëtoi ishin nga Afganistani, Iraku, Senegali dhe India ndërsa shtoi se kishin paguar shifra të çmendura për të shkelur në ‘tokën’ britanike.
5.000 paund i kishin dhënë secili nga emigrantët një kontrabandisti në Francë për kalimin në Britani.
Në bordin e anijes ishin 30 deri në 50 persona. Mediat e huaja kanë konfirmuar deri më tani 4 persona të vdekur ndërsa thuhet se ky numër fatkeqësisht mund të shtohet.
Direkt pas lajmit të rëndë, se barka ishte fundosur forca speciale të shpëtimit si varkat e shpëtimit, ekipet e shpëtimit të rojës bregdetare dhe një ambulancë ajrore u dërguan për të ndihmuar në një operacion kërkimi dhe shpëtimi. Një anije peshkimi ishte gjithashtu në zonë për të ndihmuar me shpëtimin. U përfshinë gjithashtu helikopterë të Rojës Bregdetare HM nga Lydd dhe Lee on Solent dhe një nga Marina Franceze.
Kujtojmë se, përkatësisht një vit më parë kanali anglez u prek nga një tragjedi e njëjtë ku humbën jetën 31 persona nga Franca në përpjekje për të kaluar drejt Britanisë së Madhe. Për këtë ngjarje, aso kohe kryeministri Boris Johnson u bëri thirrje autoriteteve franceze që të marrin masa për të ndaluar kalimin e paligjshëm të emigrantëve.