Një kompani konfeskionesh që prodhohen në Shqipëri që të dërgohen në Itali, mes rrobeve dhe këpucëve ka ambalazhuar kanabis. Sot Policia e Durrësit ka sekuestruar 130 kg kanabis, ndërsa ka arrestuar një person dhe shpallur në kërkim një tjetër, që lidhen me këtë vepër penale.
Sipas policisë në pranga ra Edmond Xhaja 48 vjeç, banor në Tiranë; si dhe u shpall në kërkim shtetasi A.X. 50 vjeç, pronari i firmës së konfeksioneve. Policia nuk jep emrin për pronarin, ndërsa për punëtorin e tij jep emër dhe mbiemër.
Gjithnjë pronarët, sidomos ata të bizneseve kriminale, kursehen nga Policia.
“Arrestimi në flagrancë i këtij shtetasi u bë pasi, gjatë kontrollit të ushtruar në Portin e Durrësit në automjetin tip Benz, kamionçinë, me targa AA 143 NC, në brendësi të ngarkesës me konfeksione, me drejtues shtetasin e mësipërm (shoferi punëtor), iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 100 pako me rreth 130 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit Cannabis Sattiva”- njofton policia.
Gjithashtu është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e pronarit të firmës së konfeksioneve, shtetasin A.X. 50 vjeç, banor në Tiranë. Edhe pse shtetasi i mësipërm, pronar, është “organizatori i trafikimit të lëndës narkotike me destinacion Italinë”, siç shprehet Policia, emrri i tij mbahet akoma sekret.