Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi priti në një vizitë zyrtare në Shqipëri, Ministren e Brendshme të Britanisë së Madhe, Priti Patel. Dy homologët kanë firmosur Marrëveshjen e Ripranimit, propozuar nga qeveria britanike pas daljes së saj nga Bashkimi Europian. Në kuadër të detyrimeve për përafrimin e legjislacionit për Kapitullin 24 “Drejtësia, Liria dhe Siguria” nënshkrimi i marrëveshjes vjen në përputhje me angazhimet e Shqipërisë për të luftuar migracionin e paligjshëm, si një prej nën-çështjeve thelbësore ku kërkohet progres i vazhdueshëm.

Marrëveshja është hartuar duke u bazuar në modelin komunitar, si edhe duke respektuar parimet e shkëmbimit të informacionit mbi të dhënat personale. Qëllimi, janë procedurat e ripranimit dhe tranzitit në rastet e dëbimit të personave, hyrja ose qëndrimi i të cilëve është i paligjshëm në territoret e shteteve të tyre. Palët do të forcojnë bashkëpunimin në lidhje me luftën kundër migracionit të parregullt, duke zgjeruar bashkëpunim teknik dhe operacional në fushën e menaxhimit të migracionit të parregullt dhe sigurisë së brendshme

Ministri Çuçi njohu homologen britanike me prioritetet e Ministrisë së Brendshme, ristrukturimin e nisur në Policinë e Shtetit, si dhe progresin e arritur në luftën kundër krimit të organizuar në tërësi. Më tej, gjatë bashkëbisedimit ai u ndal tek nevoja për thellimin e hetimeve të përbashkëta përmes shkëmbimit intensiv të informacionit, për grupe kriminale që operojnë në dy vendet, apo elementë që përpiqen t’i fshihen drejtësisë. Ministri u shpreh i gatshëm për të zgjeruar bashkëpunimin në fushën policore, konkretizuar kjo me grupe të përbashkëta hetimore, si dhe e njohu me punën për reformimin e vazhdueshëm të Policisë së Shtetit, për të ndërtuar një marrëdhënie të fortë besimi me qytetarët, për ta qasur atë si shërbim e jo si forcë.

Ministrja e Brendshme e Britanisë së Madhe riafirmoi marrëdhënien e fortë mes dy vendeve dhe vëmendjen e Mbretërisë së Bashkuar për Shqipërinë, në fusha të interesit të përbashkët, si dekurajimi i migracionit të paligjshëm, bashkëpunimi policor në funksion të luftës kundër krimit të organizuar. Po kështu shprehu gatishmërinë për të asistuar Policinë Shqiptare në ngritjen e kapaciteteve, sidomos në fusha që lidhen me teknologjinë dhe inovacionin, që ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen cilësore dhe efikasitetit të punës së saj.
VERITAS.COM.AL