Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, të mërkurën e 15 qershorit ka dekretuar Margarita Buhali dhe Enton Dhimitrin gjyqtar të Gjykatës së Lartë.

Me dekretimin e kësaj dite Gjykata e Lartë deri më tani përbëhet me 15 anëtarë nga 19 që duhet të ketë.

Meta pasi u njoh me vendimmarrjet respektive të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe propozimet e përcjella nga ky organ, së bashku me praktikat dokumentare të ngritjes në detyrë në Gjykatën e Lartë, nga radhët e gjyqtarëve, për dy pozicionet e lira në fushën e të drejtës civile, të shpallura për kandidim që prej muajit shkurt 2020, si dhe duke vlerësuar të mirëqenë verifikimin dhe vlerësimin prej KLGJ-së për dy kandidaturat e propozuara, vendosi të shprehet pa vonesë për pranimin e propozimeve të KLGJ-së.

“Në mbështetje të nenit 93 dhe nenit 136 të Kushtetutës, nenit 48, pikat 11 dhe 13, të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, Presidenti Meta, përfundimisht ka pranuar propozimet e KLGJ-së”, thuhej në njoftimin nga Presidenca.

Ky është një tjetër hap pozitiv drejt funksionalitetit të plotë të Gjykatës së Lartë.

Kjo pas pesë vitesh pamundësie për të ushtruar plotësisht funksionet themelore të saj.

Me këto dy emërime të reja, mund të thuhet se Gjykata e Lartë ka dalë nga zona e rrezikut dhe e pamundësisë së funksionalitetit të plotë të saj për të përmbushur misionin dhe autoritetin sublim sipas Kushtetutës dhe ligjit.

Kujtojmë që më 3 qershor Gjykata e Lartë arriti kuorumin e nevojshëm (2/3 e anëtarëve) për t’u mbledhur dhe për të gjykuar në Kolegjet e Bashkuara, pas dekretimin nga Meta të Sokol Ngresit.

Ky vendim u përshëndet edhe nga ambasadorja e SHBA-ve në Tiranë, Yuri Kim. 

“Reforma në drejtësi nuk ka qenë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por përfundimisht po ecën përpara dhe po prodhon rezultate reale”, do të ishte mesazhi i Kim.