Iniciativën per shkarkimin, Meta nuk e priti mirë. Ai  tha se nuk kërcënohet nga “Tao Tao”, (duke iu referuar Taulant Ballës), e duke thënë se ka gati dekretin për mbrojtjen e Republikës dhe mjafton një firmë e tij që kjo të ndodh. Nuk dihet saktë se çfarë ka dashur Meta të thotë, por duke iu referuar deklaratave të mëparshme për shpërndarje të parlamentit dhe tubimit të 2 marsit 2020, mund të jetë pikërisht ky veprim hapi i radhës së kreut të shtetit.

“Kërcënimi i fundit, që vjen përmes Tao Taos, nga bandat e Elbasanit dhe të gjithë Shqipërisë ka vetëm një përgjigje: Presidenti, gati për të firmosur Dekretin për mbrojtjen e Republikës!Shqipëria e Shqiptarëve!  Vdekje tradhtarëve”, tha Meta në reagimin e tij.

Nga ana tjetër, Balla iu kundërpërgjigj sërish me ironi.

“Likja e paska tharë që në mëngjes shishen e rakisë së dëllenjës! Tani vazhdo me kumbullën Like dhe në darkë kalo ke rrushi, se LSI-së s’ke ça i pi më! Po Elbasanin mos e kujto fare se do të duhet raki pishe pastaj”, shkroi Balla.

Kjo është hera e dytë që mazhoranca do të nisë procedurat për shkarkimin e Ilir Metës nga posti i presidentit. Herën e parë, gjithçka nisi për shkak të çdekretimit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019. Sot, kjo procedurë ka nisur pas luftës që Meta hapi ndaj SHBA-së dhe Ambasadores Yuri Kim, si edhe daljes së tij totalisht nga roli i kreut të shtetit dhe përfshirjes së tij në fushatë në shkelje të Kushtetutës, asaj që Meta përbetohet se po e mbron me gjak dhe dinjitet.

VERITAS.COM.AL