SPAK i kërkoi KQZ-së për Ilir Metën kopje të formularit të vetëdeklarimit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funskione publike”. Meta ka sulmuar kreun e SPAK, Arben Krajën duke e quajtur ‘spurdhjaku i partisë’ ndërsa shton se ka vendosur që t’i shërbejë hapur mafies së inceneratorëve.
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vijon procedurat e hetimit për Ilir Metën, pasi i kërkoi KQZ-së kopje të formularit të vetëdeklarimit “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen, ose ushtrojnë funskione publike”.
Kërkesa e SPAK-ut vjen në kuadër të hetimeve për skandalin për lobim në SHBA me 700,000 mijë USD të padeklaruara. Kallëzimin e ka depozituar në SPAK ish deputeti Halit Valteri. Kallëzimi penal nga Valteri ishte rrjedhojë i investigimit të gazetës më të madhe austriake, “Kronen Zeitung“, e cila akuzoi se presidenti Ilir Meta pagoi 700,000 mijë dollarë për lobim përmes një kompanie qipriote guaskë, që të siguronte një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Metës, i cili ka sulmuar kreun e SPAK, Arben Krajën duke e cilësuar si spurdhjak të partisë i cili është në funksion të mafies së inceneratorëve. Meta paralajmëron se asgjë nuk do ta shpëtoje ‘Ramaviçin’ nga drejtësia.
Konfirmohet lobimi 700 mijë USD
Disa dokumente të publikuara në media kanë konfirmuar vërtetësinë e artikullit të botuar disa ditë më parë nga gazeta austriake “Kronen Zeitung”, e cila denoncoi Ilir Metën dhe LSI-në se ka paguar 700 mijë USD për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për një foto në ceremoninë e inaugurimit të Presidentit Amerikan Donald Trump, në vitin 2017.
Dokumentet e dorëzuara në autoritetet amerikane komprometojnë rëndë Ilir Metën dhe LSI-në. Kontratat konfirmojnë se Ilir Meta, në fillim të vitit 2017, ka paguar rreth 700 mijë dollarë te kompania McKeon Group. 90 mijë dollarë janë paguar nga avokati Iraklis Fidetzis, ndërsa 600 mijë të tjera sërish nga Fidetzis por përmes kompanisë “Dorelita Limited”, e regjistruar si offshore në Qipro.
Po ku i gjeti Ilir Meta paratë për të kryer pagesat në janar-shkurt 2017 për kompaninë McKeon Group dhe 600 mijë euro për kompaninë “Dorelita Limited”? A i ka deklaruar Meta këto para në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve apo në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive?
Ndryshe nga sa tregojnë dokumentet amerikane, në raportin e saj vjetor financiar për vitin 2017, të dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, LSI ka raportuar shpenzime për konsulencë dhe lobim në vlerën 3.3 milionë lekë. Konkretisht, LSI ka deklaruar në KQZ shpenzime konsulencë në vlerën 1,414,465 lekë me kompaninë JPM Strategic Solution LLc USA. Gjithashtu, Partia Lëvizja Socialiste për Integrim ka deklaruar në raportin financiar shërbime konsulence me kompaninë MCKEON GROUP, në vlerën 1,942,500 lekë.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, me anë të një raporti, ka konstatuar se LSI nuk justifikon me burime të ligjshme të ardhurash as kontratën e dytë, atë me kompaninë MCKEON GROUP, me vlerë 1.9 milionë lekë.