Deputetja Rudina Hajdari ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook, pas pamjeve të mbrëmshme ku disa militantë i vunë flakën një shkolle në Shkodër me qëllim djegien e materialeve zgjedhore që gjendeshin në të.
Djegien e shkollave, Hajdari e cilëson një traumë kombëtare dhe dhunë anti-shqiptare ndërsa thotë se ka vendosur që pagën e saj mujore ta dhurojë për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj.
“Të dashur demokratë,
Djegia e shkollave në Shkodrën e kulturës dhe traditave ishte një traumë kombëtare dhe dhunë anti-shqiptare.
Për këto arsye vendosa sot që pagën (rrogën) mujore ta dhuroj për riparimin e dritareve të shkollës që u dogj dje në këtë qytet nga ata që nuk janë as demokratë dhe as socialistë por thjesht servilë të kryetarit dhe shpresojnë që në të ardhmen të shpërblehen me parimin: -Kush djeg dhe shkatërron më shumë bëhet drejtor ose doganier!’
Le të jetë paga ime fillimi i një fushate ndërgjegjësimi nga çdo shqiptar që kërkon një Shqipëri si Europa.
Me respekt,
Rudina A. Hajdari.