Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, priti në një takim zyrtar në Tiranë, Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias.

Në një reagim në Facebook, lidhur me takimin e zhvilluar, Cakaj u shpreh, se me homologun grek, vlerësuan bashkëpunimin mes dy vendeve dhe theksuan rëndësinë e zgjidhjes së të gjitha çështjeve dypalëshe.

Gjithashtu në takim, u theksua mbështetja e Greqisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, duke marrë parasysh arritjet domethënëse të Shqipërisë në procesin e integrimit evropian.

Për më tepër, sikurse bëri me dije Kryediplomati Cakaj në postim, Greqia do të mbështesë kandidaturën e Shqipërisë si anëtare jo e përherëshme e Këshillit të Sigurimit 2022-2023.

Të dy ministrat shprehën gatishmërinë për të shtuar ritmin e punës së përbashkët e për të thelluar bashkëpunimin në çdo fushë të interesit të ndërsjellë mes dy vendeve.

VERITAS.COM.AL