“Retorikë politike. Përgënjeshtrojmë çdo akuzë”. Ka qenë kjo përgjigjja nga Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri, i pyetur nga Albanian Post rreth akuzave që kryetari i sapozgjedhur i Partisë Demokratike, Sali Berisha, hodhi më herët për ushtarët e Forcave të Armatosura.

“Gjysma e ushtarëve kanë dorëzuar dorëheqjen në komandat e tyre, për shkak të rrogave shumë të ulëta dhe kushteve të papërshtatshme”, shkruhej në një postim nga Berisha.

 

Ministria e Mbrojtjes theksoi për Albanian Post se, “asnjë fjalë e Berishës nuk është e vërtetë”.

 

“Oficerë madhorë të Ushtrisë punojnë pasdite në bare dhe restorante, për të plotësuar rrogat e ulëta që marrin”, vijonin akuzat nga Berisha.

Nga ana tjetër, ai hedh akuza të shumta edhe mbi përballimin e situatave të emergjencës civile në vend, duke thënë se “helikopterët nuk ngrihen dot në ajër, ndërsa anijet e flotës detare nuk janë në gatishmëri”.

“I bëj thirrje NATO-s të ndërmarrë një inspektim për vlerësimin e gjendjes tejet të rëndë të Forcave të Armatosura të një vendi anëtar të saj”, vijon më tej ai.

Mbi pretendimet, ndërkaq, thotë se i kanë ardhur nëpërmjet një denoncimi nga një oficer i Ministrisë së Mbrojtjes./ Albanian Post/