(FOTO: Helga Vukaj, ministre e Financave)/
Ministrja e Financave, Helga Vukaj, ka dhënë porositë e para, gjatë inspektimit të bërë në Degën Doganore Durrës. Ajo kërkoi nga administrata doganore të distancohet nga çdo veprim i paligjshëm që cenon standardet zgjedhore.
“Ministrja Vukaj theksoi rëndësinë e përmbushjes së objektivave fiskalë dhe vlerësimin strikt të procedurave doganore për të shmangur çdo rast abuzimi, që favorizon operatorë të veçantë të biznesit, me qëllim financimin e aktiviteteve elektorale” njofton zyra për shtyp e saj. Ministrja paralajmëroi gjithashtu masa administrative dhe ndjekje penale për çdo punonjës që shkel ligjin.
“Ajo kërkoi me prioritet nga agjencitë ligjzbatuese rritjen e eficencës së kontrolleve doganore kundër trafikut të drogës dhe hartimin e një planveprimi për një reagim të shpejtë dhe të koordinuar me Policinë Kufitare” theksohet më tej në njoftim.
Në takimin me Shërbimin Doganor dhe Policinë Kufitare Durrës, ministrja e Financave Helga Vukaj shoqërohej edhe nga ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj.
/Veritas.com.al/