Ditën e sotme u zhvillua mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, me rend dite miratimin e listës së anëtarëve dhe anëtarëve zëvendësues të komisioneve të përhershme parlamentare.

Në mbledhje u depozituan emrat e propozuar nga tre grupet parlamentare të opozitës, ndërsa Partia Socialiste kishte paraqitur propozimet e saj në mbledhjen e mëparshme të Konferencës.

Pas shqyrtimit, çështjet u kaluan për miratim në seancën plenare, ku do të votohet për përbërjen e plotë të komisioneve të përhershme, si dhe për anëtarët zëvendësues, në përputhje me përfaqësimin politik në Kuvend.

“Në drejtimin e Kryetarit, z. Niko Peleshi, u zhvillua sot mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, me rend dite miratimi i listës së anëtarëve të komisioneve të përhershme të Kuvendit dhe miratimi i listës së anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit.”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Deri më tani janë miratuar vetëm kryetarët dhe nënkryetarët e propozuar nga PS, ndërkohë që komisionet kanë mbetur jo funksionale për shkak të mungesës së përfaqësuesve të opozitës. Pas bllokimit që krijoi, PD njoftoi një ditë më parë se kishte dorëzuar emrat për 4 komisionet parlamentare që i takojnë asaj të drejtojë.

PD i kishte caktuar më herët drejtuesit e këtyre komisioneve, si edhe nënkryetarët për ato që drejtohen nga mazhoranca, por nuk i kishte depozituar zyrtarisht në Kuvend, për shkak të kundërshtisë për rregulloren e re.

Gazment Bardhi dhe Fidel Kreka nuk do të jenë në këtë seancë pasi u përjashtuan për 10 ditë si ndëshkim për kaosin që shkaktuan në seancën ku u votëbesua kabineti i ri qeveritar.

Një ditë më parë, demokratët iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese për ta kundërshtuar këtë rregullore, e cila parashikon ndarjen e re të komisioneve parlamentare, si dhe për të kundërshtuar krijimin e ministres virtuale Diella. Sipas demokratëve, dekreti i Bajram Begajt që autorizonte kryeministrin Edi Rama për funksionimin e ministres virtuale, bie ndesh me kushtetutën.

Komisionet nën drejtimin e PS dhe emrat e kryetarëve:

Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat – Do të drejtohet nga Milva Ekonomi
Komisioni për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike – Do të drejtohet nga Ulsi Manja
Komisioni për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes – Do të drejtohet nga Bledi Çuçi
Komisioni për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm – Do të drejtohet Anila Denaj
Komisioni për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural – Do të drejtohet Blendi Klosi
Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme – Do të drejtohet nga Igli Hasani
Komisioni për Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale – Do të drejtohet nga Fatmir Xhafaj

Komisionet nën drejtimin e PD:
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe sportet – Do të drejtohet nga Luçiano Boci, Evis Kushi (PS) Nënkryetare
Komisioni për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale- Do të drejtohet nga Bardh Spahia, Eduard Shalsi (PS) Nënkryetar
Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik – Do të drejtohet nga Jorida Tabaku, Iris Luarasi  (PS)  Nënkryetare
Komisioni për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën – Do të drejtohet nga Ina Zhupa, Erjon Malaj (PS)  Nënkryetar

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *