Prej disa ditësh vetëm jahti luksoz i biznesmenit turk ka mbetur si dëshmi e një misteri ose tragjedie disa milje larg tokës shqiptare, pronari nuk është parë më.

Zhdukja e biznesmenit turk, Sevgin Yavuz, vazhdon të jetë e mbuluar me mister. Jahti i 31-vjeçarit u gjet të shtunën 12 milje larg portit të Shëngjinit dhe të parët që e pikasën ishin disa peshkatarë.

Për disa orë ata kanë qenë duke peshkuar dhe kanë parë që mjeti luksoz nuk ka lëvizur nga vendi. Ata janë afruar dhe kanë parë se në jaht nuk kishte njeri edhe pse mjeti lundrues ishte me motorë ndezur.

Menjëherë kanë njoftuar kapitenerinë e portit të Shëngjinit, e cila ka bërë ankorimin e jahtit. Ndërsa prej ditës së shtunë kanë nisur kontaktet me autoritetet turke. Informacion është kërkuar edhe nga Mali i Zi, pasi Pikërisht nga Porti i Tivarit ishte  nisur Sevgin Yavuz me jahtin e tij.

Prokuroria dhe policia e kanë të pamundur të japin një pistë konkrete për këtë rast. Paraprakisht dyshohet se mund të kemi të bëjmë më një aksident ku biznesmeni mund të jetë futur në det për tu larë dhe mjeti lundrues të jetë larguar nga ai.

 

Por hetuesit janë duke këqyrur jahtin për të zbuluar nëse 31 vjeçari ka qenë i vetëm gjatë largimit nga Porti i Tivarit. Ndërsa nga Turqia priten të dhëna mbi aktivitetin e biznesmenit atje dhe nëse ka pasur konflikte të hapura me njeri.

Veritas.com.al/