Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u mblodhën në një samit historik në Sofje, me shpresën se do të merrnin dritën jeshile për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Por Presidenti francez Emmanuel Macron mbajti një qëndrim tejet skeptik mbi zgjerimin e Bashkimit Evropian për të përfshirë vendet e Ballkanit Perëndimor, edhe pse samiti synonte forcimin e lidhjeve midis rajonit dhe BE.

Komentet e Macron ishin një zhgënjim i madh sidomos për Shqipërinë dhe Maqedoninë, të cilat shpresojnë për dritën e gjelbër nga udhëheqësit e BE-së për të filluar bisedimet për anëtarësimin në union.

Ai u shpreh se:

Ajo që kemi parë gjatë 15 viteve të fundit është një rrugë që ka dobësuar Europën sa herë që kemi menduar ta zgjerojmë. Unë nuk mendojn se u bëjme nder vendeve kandidate apo unionit, duke pasur një mekanizëm që në njëfarë mënyre nuk ka më rregulla dhe vazhdon të lëvizë papushim drejt zgjerimit më të madh. Unë jam në favor të ankorimit të Ballkanit në Evropë dhe të ecjes drejt Evropës. Por mendoj se ne duhet të shohim çdo zgjerim të ri me shumë kujdes dhe ashpërsi. Nuk jam në favor të zgjerimit para se të kemi të gjithë sigurinë e nevojshme dhe para se të bëjmë një reformë reale në  mënyrë që zgjerimi të jetë në të mirë të Bashkimit Evropian. Duhet të kemi një dialog të përforcuar dhe strategjik me vendet e Ballkanit, të ndjekim reformat që janë ndërmarrë dhe t’i inkurajojmë pa u treguar hipokrit”.

Vërejtjet e tij të enjten kanë qenë edhe më të ashpra sesa komentet që ai bëri në Parlamentin Europian muajin e kaluar.

Jo vetëm Macron, por edhe anëtarët e tjerë të BE-së u shfaqën skepetikë për të deklaruar se gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia, do të mund të bashkohen një ditë me bllokun.

Veritas.com.al/