Revista e njohur Amerikane, “Mother Jones,” ka komentuar mbi thirrjen së fundi në prokurori të kreut të PD, Lulzim Basha.

Kjo është revista që para një viti publikoi për herë të parë investigimin për pagesën prej 650 mijë dollarësh, të bëra nga Partia Demokratike kundrejt lobistit Amerikan, Nick Muzin.

Revista përqendrohet mbi faktin se kreu i PD, Basha tashmë është nën hetim edhe për shkelje të ligjit në Shqipëri, në lidhje me financimet e partive politike, ndërkohë që dy hetime paralele janë ende aktive në SHBA dhe Skoci, në lidhje me dyshimin se paratë e paguara për lobim vijnë nga një kompani-guaskë me pronarë Rusë, “Biniatta Trade.”

‘Mother Jones’ shkruan:

Prokurorët marrin në pyetje politikanët shqiptarë mbi pagesat nga firma e lidhur me Rusinë drejt Lobistit të Republikanëve

Prokurorët shqiptarë të hënën morën në pyetje kryetarin e partisë kryesore të djathtë të vendit lidhur me pagesat mbi 600.000 dollarë që partia raportohet se ka bërë në 2017 për një lobist republikan në Uashington, DC. Ky veprim vjen mbi një vit pasi Mother Jones raportoi se një kompani “offshore” me seli në Skoci e lidhur me disa shtetas misteriozë rusë e ka financuar këtë lobim. Gjatë punës për Partinë Demokratike të Shqipërisë, Nick Muzin, një lobist që më parë ka punuar për një ndihmës të lartë të Senatorit Ted Cruz dhe ka këshilluar në fushatën e Trump, rregulloi që Lulzim Basha, kryetari i partisë, të pozonte në foto me presidentin Donald Trump dhe organizoi takime për Bashën me anëtarët e Kuvendit, të gjitha këto për të ndihmuar partinë e Bashës, e cila ishte në një garë të hidhur në zgjedhjet në Shqipëri kundër Partisë Socialiste në pushtet.

Prokurorët shqiptarë deklarojnë se kanë marrë letra nga autoritetet e Shteteve të Bashkuara dhe Skocisë, ku kërkojnë informacion mbi tarifat që ka paguar PD dhe kompania offshore Biniatta Trade, drejt një firme lobimi të drejtuar nga Muzin.

Mediat shqiptare, duke cituar burime nga zyra e prokurorisë shqiptare, raportojnë se letrat vijnë nga Departamenti i Drejtësisë në SHBA.

Prokurorët thonë se dyshojnë që Partia e Bashës ka shkelur ligjin e vendit duke mos deklaruar 650.000 dollarë shpenzime fushate që i ka paguar Muzinit në 2017.

Partia e ka punësuar Muzin për të prezantuar Bashën, i cili ka huazuar një retorikë të ngjashme me Trumpin (si për shembull duke premtuar “ta bëjë Shqipërinë të mrekullueshme sërish”), tek konservatorët amerikanë para zgjedhjeve parlamentare të Shqipërisë në qershor të 2017.

Prokuroria njoftoi se ka marrë në pyetje Bashën bashkë me tre zyrtarë të tjerë të PD të hënën.

“Hetimi ngriti dyshime legjitime bazuar në provën që ka diferencë të thellë mes deklarimit zyrtar të shpenzimeve nga Partia Demokratike dhe shpenzimet reale që ajo ka kryer,” tha zyra e Prokurorisë në një deklaratë të hënën.

Prokurorët shtuan se PD ka deklaruar vetëm 25.000 dollarë si pagesa për lobim, pa zbuluar dhe 650.000 dollarë tjera. Në dëshminë e regjistruar pranë zyrës së Regjistrimit të Agjentëve të huaj në Departamentin e Drejtësisë, Muzin deklaronte shumën e madhe që ka marrë si paga e tij totale për punën për PD.

 

Letrat nga SHBA-ja dhe Skocia tregojnë që PD “nuk ka bërë asnjë deklaratë mbi këto pagesa, duke shkelur ligjin”, thanë prokurorët shqiptarë.

Basha ka mohuar shkeljen e ligjeve shqiptare. Në një letër drejtuar prokurorëve, javën e kaluar, ai spekuloi se hetimi ndaj tyre është i motivuar politikisht, duke lënë të kuptohet se kjo është një hakmarrje të mundshme ndaj rolit aktiv të PD-së në organizimin e protestave masive të opozitës që kanë kapluar kryeqytetin e Shqipërisë gjatë dy muajve të fundit.

Që nga fundi i vitit të kaluar, Basha dhe partia e tij kanë organizuar mjaft protesta kundër-qeveritare me synim që të detyrojnë kryeministrin dhe kryetarin e partisë në pushtet, Edi Ramën, të japë dorëheqjen. Në shkurt, mijëra veta protestuan jashtë zyrës së Ramës duke e akuzuar se koncesionet për autostradën e re të kryeqytetit ishin korruptive. Disa protestues sulmuan ndërtesën me shufra hekuri dhe Molotov, duke thyer derën kryesore.

Policia u përgjigj me gaz lotsjellës. Basha fajësoi qeverinë për distabilitetin dhe e mbylli protestën duke ftuar për një protestë tjetër disa ditë më vonë. Gjatë një proteste tjetër jashtë parlamentit, gjatë këtij muaj, Basha drejtonte grupin e protestuesve, të cilët u përpoqën të thyenin zinxhirin e policisë e hidhnin tymuese.

Letra që Basha i drejton prokurorisë aludon se ata i kishin në dispozicion provat që prej një viti e gjysmë, para se ta thërrisnin për ta pyetur të hënën. “Kjo kohë e gjatë, shkruan Basha, të bën të mendosh se veprimtaria juaj nuk lidhet me qëllime investigative, por për t’i shërbyer propagandës politike”.

Në Mars të 2018, ‘Mother Jones’ raportoi që Biniatta, së cilës Muzini i dha të paktën 150.000 dollarë për të ndihmuar PD-në, ishte krijuar nga dy kompani offshore të regjistruara në Belize, që kontrollohen nga dy firma të tjera nën pronësi të qytetarëve Rus. Lidhjet nuk tregojnë përfshirjen e qeverisë ruse, por mbështetja financiare që Biniatta i dha PD-së erdhi pasi Basha filloi të bashkohej me një retorikë nacionaliste anti-Europiane që Rusia ishte munduar të zhvillonte në Ballkan. Partitë politike në Shqipëri kanë tendencën të jenë pro-Amerikane. Bombardimet në 1999 nga NATO dhe SHBA-ja si kundërpërgjigje ndaj sulmit Serb në Kosovë (që përbëhet nga një shumicë etnike shqiptare) vlerësohen ende në Shqipëri.

Raporti i Mother Jones për financimet e veprimtarive lobuese të Muzini në Uashington për interes të PD-së, dhe lidhja me Rusinë, tërhoqi shumë vëmendje në Shqipëri dhe shkaktoi sulme nga ana e PD-së, që hodhën akuza të rreme se Partia Socialiste në qeveri e kishte paguar Mother Jones për të përpiluar raportin.

Muzini dhe një përfaqësues i Departamentit të Drejtësisë refuzuan të komentonin. Prokuroria Shqiptare nuk iu përgjigj pyetjeve.

Veritas.com.al/