Reshjet e dendura të shiut në zonën e Kurbinit kanë filluar problemet e para. Prurjet në lumin Droje kanë arritur në nivelin thuajse kritik, në disa rrugë të fshatrave prania e ujit ka bllokuar lëvizjen e banorëve.

Në aksin e rrugës Skuraj – Burrel, rënia e gurëve në rrugë dhe shkarjet e dherave nga malet, ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

Në këtë zonë punohet nga punonjësit e mirëmbajtjes për largimin e inerteve.

Situatë problematike paraqitet edhe në të gjithë ultësirën e Bashkisë Krujë, kryesisht në fshatrat Bilaj, Murqinë, Mallkuc etj.

Sipërfaqe të mëdha me të mbjella po mbulohen çdo minutë e më shumë nga uji i kanaleve, i cili, në pamundësi për të rrjedhur lirshëm në lumë, po del dhe po përmbyt arat me të mbjella.

Niveli i ujit ka arritur pika alarmante, pasi rrezikohet që, nëse reshjet do të vijojnë me të njëjtin intensitet, të përmbyten përveç arave edhe biznese e banesa, për shkak se kanalet nuk funksionojnë.

Shumica e kanaleve kanë dekada pa u pastruar dhe janë të mbuluar nga vegjetacioni dhe të bllokuara.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *