-Rrëzohen pemë dhe shtylla, bllokohet Qafa e Llogarasë-
Reshjet e shiut të shoqëruara me erë të fortë kanë përfshirë sërish të gjithë vendin. Më problematike situata është në porte. Në Vlorë gjatë orëve të fundit është pezulluar lundrimi detar.
Me urdhër të Kapitenerisë së Vlorës, trageti i linjës Vlorë-Brindisi për dy ditët e ardhshme nuk do të lundrojë në itenerarin e caktuar, ndërsa mjetet e vogla lundruese dhe anijet e peshkimit do të qëndrojnë të ankoruara në zonën e triportit në Zvërnec.
Rikthimi i mjeteve lundruese në det do të bëhet vetëm pas mbrëmjes së datës 13 Nëntor kur edhe pritet një përmirësim i kushteve meteorologjike.
E njëjta situatë është edhe në Portin e Durrësit. Edhe aty Kapiteneria ka kërkuar që në 48 orët e ardhshme të mos dalin në lundrim në det të hapur anijet e vogla që nuk përballojnë dot dallgët.
Moti i keq ka shkaktuar probleme edhe në disa akse rrugore. Në Llogora, si pasojë e erës së fortë janë rrëzuar shtylla të tensionit të lartë si dhe disa pemë, duke e bërë këtë aks të pakalueshëm.
Veritas.com.al/