Nga Frrok Çupi
Po e shkruaj siç e thotë populli: “ambasadoresha”; ndryshe duhej thënë “ambasadori”, pavarësisht se kjo është femër. Siç e thonë në popull fjalën “ministre”, në vend që të shkruhet “ministër”, pavarësisht nga gjinia. Por po flasim si populli, po shkruajmë si populli, po votojmë si populli… Populizmi po e çon në greminë jo veç gjuhën, por të gjithë ne që jetojmë këtu. Populizmi e çoi Europën në këtë derexhe. (Shiko, prapë përdora një fjalë turqisht, “derexhe”, që gjuha moderne nuk ta lejon). Por tani nuk pret asgjë moderne, asgjë të saktë, asgjë principiale. Tashmë janë duke rrjedhur vlerat; janë duke u shembur shumë shpresa; janë duke u vënë në rrezik gjërat më madhore, deri edhe vetë Demokracia… Ajo çfarë e pamë me shumë optimizëm dhe entuziazëm në vitet ’90, tani po na hyn në palcë si dëshpërim i madh…
Ou, po!, ku është ambasadoresha?
Ambasadoresha e Bashkimit Europian, ironikisht- një vajzë e ardhur nga zyrat lindore të Kroacisë, dje mungoi gjithë ditën. Madje nuk ishte as në krah të ambasadorit të SHBA në inkursionin e tij nëpër zyrat e shtetit për atë punën e Reformës. Ambasadori i Shteteve të Bashkuara dje trokiti përsëri në një zyrë shteti ku “gatuhet” Drejtësia. Ndërsa ambasadoresha mungoi.
Tani më është krijuar konotacioni Lu-Vlahutin, një çift simpatik diplomatik, të dy të shkurtër, njëri pak më diskret se tjetri, që zbresin nga makinat me drojën “a do të na presin mirë sot, vallë!?”. Trokasin nëpër zyra dhe kur dalin nuk tregojnë çfarë volën. Veç më vonë tregojnë se kanë dalë bosh.
Jam çuditur gjithmonë, qëkurse këta të dy nisën të hyjnë nëpër zyrat e shtetit si lypsarë dhe të dalin që andej kokulur! Kam pyetur veten: Po, si vallë, të dërguarit e dy fuqive të mëdha që ka bota, shtrijnë dorën tre herë në javë para disa politikanëve minorë, dhe këta nuk ua varin?! Jam çuditur dhe nuk kam mundur të mendoj se vërtet kështu qenka. Tani që nuk e gjej ambasadoreshën në krah të ambasadorit amerikan, tani kuptoj më mirë. Ose, më mirë të them, kam kuptuar që natën kur fitoi Brexit në Angli. Ambasadorët janë si minjtë, këta e ndiejnë tërmetin, qëkurse nis nëpër zyrat e qeverive që përfaqësojnë.
Paska qenë shumë delikate puna. Në Europë e tundi dheun një kuqalash me emër cari rus, Boris; por me origjinë të përzierë; dhe në Amerikë po një kuqs tjetër si kandidat favorit për president të Shteteve të Bashkuara. Si njëri edhe tjetri nuk premtuan qiejt; si njëri edhe tjetri premtuan veç “të mos jetë kështu siç është!”. Domethënë të mos jetë kjo kënetë, le të jetë një rrëpirë ose një kënetë tjetër. Rendi botëror është vënë në rrezik, dhe prandaj u pranua kaq shpejt ndryshimi, qoftë edhe “strange”, ose me rrezik…
Tani mos- prezenca e ambasadoreshës mund të konsiderohet si një mosprezencë europiane. Ose edhe si një frikë. Ambasadorët, që të dy, ndihen të sfiduar në Shqipëri. Ashtu si vetë rendi botëror është i sfiduar. Nga kush sfidohen ambasadorët? Po rendi botëror? Domethënë, jo thjesht ambasadorët e dy fuqive të mëdha, por vetë dy Fuqitë? Kjo është për t’u shënuar. Fuqitë kryesore në Shqipëri, që sfidojnë Perëndimin, janë të njëjtat; ato që në fillim të viteve 90 Perëndimi (plus forcat demokratike të brendshme) i mbylli nëpër shtëpi. Të gjithë autoritarët u mbyllën, madje edhe anëtarët e shkretë të Partisë së Punës. Tani, pas dy dekadash, ambasadori i Shteteve të Bashkuara (tashmë edhe në mungesë të ambasadoreshës së Europës), iu troket derë më derë, iu zgjat dorën dhe pret “dhuratë” prej atyre që u përmbysën në vitet 90. Ja kështu ka ndodhur me gjithë sfidën botërore. Rendi botëror po sfidohet nga qeveritë dhe forcat autokratike. Kryetari i Laburistëve anglez, Corbyn, natën e 23 qershorit, sapo “u thye” Anglia, deklaroi në BBC: “Njerëzit janë të lodhur nga qeveritë e suksesshme!?” Brexit ishte veç një reagim për këtë sfidë gjigande. Modeli i qeverisë sonë, e cila ka sukses edhe në shënimin e golave dhe në vizatimin e fanellave, rëndon mbi një popull që tenton të ikë nga sytë këmbët!… Kjo lloj qeverie rrezikon përsëri botën.
Kudo ka sfidë…
Tani Shtetet e Bashkuara, që promovuan Demokracinë, ndodhen në rrezikun e të qenit “shumë demokratike”. Ndërsa Europa e ambasadoreshës nga Kroacia, shiko sa u rrezikua për shkak të përzierjes së kulturave brenda një shteti të vetëm. Ka renë demokracia. Janë shtuar qeveritë autoritariste. Duke u nisur që nga qeveria shqiptare që ushtron frikë mbi një popull të uritur e të frikësuar po prej tyre, gjysmë shekulli e më shumë. Gjatë këtyre 15 vjetëve, që nga viti 2000 deri 2015, demokracia u ndërpre në 27 vende ku kishin nisur e po zhvilloheshin proceset…
Si të mos rrezikohen Europa dhe Amerika!?… Ambasadoresha mungon me dashje; vetë ambasadori i Shteteve të Bashkuara duket se po mbart amanetin e fundit. Disa thonë se Reforma në Drejtësi është thjesht sfidë e tij, disa të tjerë thonë se shefat në Uashington e nxisin të mbarojë punë “para se të vijë presidenti Trump”! Puna është se edhe amerikani po bën të njëjtin gabim që ka bërë shteti i tij më parë. Jo për kaq pak gjë, sa ç’është Reforma në Drejtësi, por për shembjen e autokratizmit në Lindjen e Mesme. Presidenti Bush dhe administrata e tij kishin bërë planin që të ndërhynin në Irak, por me qëllimin e fundit që të përmbysnin diktaturat në Siri dhe Iran. Atëherë Irani dhe Siria e dëgjuan dhe i vunë barrikada Amerikës. E shikoni, edhe sot e kësaj dite… Regjimet autokratike nuk lejojnë të preken. A nuk po ndodh kështu me Reformën e Drejtësisë? Dikush ka zbuluar planin amerikan për të “burgosur” të gjithë qeveritarët e korruptuar, kriminelë dhe autokratë… Po si mund të lejojnë këta që të nënshkruajnë dënimin e vetvetes!? Ambasadori troket nëpër zyra dhe prapë largohet për të ardhur nesër… Një deputet i qeverisë qurravepset se dikush e ka rrahur në aeroport; dhe kjo “pengon reformën”. Njësoj si me kokën e Daut Hoxhës që u bë shkak për Luftën e parë. Kryeministri është gati të shpallë zgjedhje të parakohëshme, veç të mos bëhet Reformë në Drejtësi. Qeveria e do edhe Drejtësinë për vete; pret sa të dorëzohet Amerika.
Të gjithë sikur nuk ekziston as Amerika, as Europa, as Demokracia. Në vitin 1990 u ngritën shpresa për rrëzimin e diktaturave, për fjalë të lirë, për zgjedhje të lira, për sundimin e ligjit, për bashkimin me BE dhe NATO… Rrugës humbën, njësoj si ambasadoresha. Këta, autokratët, tani e shikojnë se BE nuk është. As NATO… NATO-n e shikojnë veç si “roje”për vilën në Surrel dhe për të ruajtur paratë e vjedhura nga populli…
Ambasadoresha mungon. Ndoshta edhe ajo ka frikë që të prezantojë më Bashkimin Europian. Ose mund të ketë marrë ndonjë ofertë Lindore… Ku ta dish; gjithçka po ndodh. Sfida ndodhi. Mjafton veç frika, për të mos ekzistuar…
Ja, kaq është.