Ish deputet dhe ministër i Partisë Demokratike dhe kryesuesi i listës së firmëtarëve për dorëheqjen e Bashës nga kreu i PD, Besnik Mustafaj, beson se vendimi i Bashës për të caktuar ditën e zgjedhjeve tregon se ai nuk do të qëndrojë aspak “i ngrirë”. Sipas ish ministrit të Jashtëm, vendimi për të lënë vetëm katër ditë kohë për regjistrimin e kandidatëve në garë, tregon se Basha kërkon të shmangë debatin lidhur me bilancin e tij.
“Basha e bëri qysh dje veprimin e gabuar, duke treguar se nuk do të qëndrojë aspak ‘i ngrirë’. Nëpërmjet dy nënkryetarëve ai caktoi datën e zgjedhjeve. Ky vendim e nxjerr zbuluar Bashën dhe tregon se ai ka ndikim të plotë mbi dy nënkryetarët e caktuar nga ai për të administruar procesin zgjedhor brenda partisë. Unë kuptova kështu se Basha kërkon një fushatë të shkurtër për të shmangur debatin lidhur me bilancin e tij”, shprehet Mustafaj, për Panorama.
Duke iu referuar statutit të PD, Mustafaj deklaron se Basha nuk ka të drejtë të përcaktojë datën e zgjedhjeve, pasi ajo vendoset nga Kryesia pasi të jetë përcaktuar rregullorja dhe të jetë dakordësuar me kandidatët që do të marrin pjesë në garë.
“Po ashtu ai kërkon të përjashtojë rivalët e mundshëm duke u hequr atyre kohën e nevojshme për të reflektuar para se të hedhin hapin e kandidimit. Caktimi i datës së zgjedhjeve nuk është e drejtë e Bashës. Ajo duhet të bëhet nga kryesia pasi të jetë hartuar edhe rregullorja e posaçme, që mungon, dhe në konsensus me kandidatët. Së fundi, më vjen keq për veprimin e nxituar të dy nënkryetarëve, të cilët nuk i kanë shërbyer qysh ditën e parë krijimit të një atmosfere besimi te ne demokratët lidhur me transparencën, drejtësinë dhe barazinë që do të tregojnë gjatë këtij procesi jetik për të ardhmen e PDsë dhe të opozitës. Përgëzoj sekretarin e përgjithshëm Ristani, që nuk ishte bërë pjesë e këtij gabimi”, deklaron Mustafaj.