Frrok Çupi/
Në fakt Brukselin e krahasoi me Babiloninë një studiues i guximshëm, Theodore Malloch; autor i një studimi të famshëm me titull: “Jeta ime përtej perdeve të elitës”. Brukselin, dmth., BE-në, ai e quan një ‘Babiloni të centralizuar’. ‘Babilonia’ e re po shembet jo nga struktura e mureve, as e legjioneve; ajo po shembet nga struktura e familjes dhe e shoqërisë. Be tanimë ka funksionin e shtetit unionist përmbi shtetet e tjerë, vetëm kaq.
Kur themi se ‘po shkojmë në BE’, duhet të kemi në mendje edhe një gjë: Po shkojmë në një “shtet pa familje”.
Nuk është e tëra kjo që po citoj më poshtë; madje nuk është as kryesorja- në qoftë se nuk do të ishte sinjifikative ose simbolikja e gjësë:
-Sa fëmijë keni, të dashur kryeministra, kancelarë dhe presidentë të shteteve të BE, që po na bëni thirrje ‘O BE, o nuk ka?!”.
Ja këtë pyetje, dmth., alarmante do të doja të bëja…
Presidenti më i ri në shtetet e BE, pro-Europianist i madh, i ardhur aq bujshëm sa një ‘Napoleon’ në skenën politike, Emmanuel Macron- nuk ka fëmijë. Që në ngjizjen e familjes së tij ai e dinte shumë mirë se nuk do të kishte fëmijë në atë familje… Zonja Angela Merkel, kancelare e Gjermanisë, pro- Europianiste e papërmbajtur- nuk ka fëmijë…. Zonja Theresa May, kryeministre e Britanisë- nuk ka fëmijë… Kryeministri i Italisë, Paolo Gentiloni, është një burrë pa fëmijë. As kryeministri i Holandës, Mark Rutte, nuk ka fëmijë… As kryeministri i Suedinë, Stefan Lofven… , as kryeministri i Luksemburgut Xavier Bettel… madje as ministre e parë e Skocisë që po formon qeveri me May, zonja Nicola Sturgeon, nuk ka fëmijë….
Mund të shkojmë në gjithë shtetet e BE, edhe në shtetet që janë pranuar vitet e fundit në ‘Babiloni’ Letonia ka presidnet pa fëmijë, Lituania ka president pa fëmijë, Rumania ka president Klaus Werner Iohannis – pa fëmijë…
Edhe vetë presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Junker, është pa fëmijë; edhe duket si qose…
Kush tha se kjo është e tëra për vlerat e BE? Por nuk është as pak… Madje nuk është një gjë që të mos çmohet si tregues ose simbolikë e asaj ‘Babilonie’ që na pret…
Studimet, prej kohësh, por veçanërisht pas ‘tronditjes’ prej vërshimit të politikave të ‘populizmit konservator’ në Europë dhe në Amerikë, kanë nxjerrë në shesh pse ndodh e ku na çon kjo ‘inondatë’ liberale.
1.
Udhëheqësit e vendeve të BE kanë mundur të ngjiten në majën e pushtetit edhe për arsye se ‘janë pa fëmijë’. Shtetet që drejtojnë nuk do të kenë ‘lidhje’ kushedi çfarë me familjen. Ata vetë nuk janë pjesë e një familjeje. Përqendrimi i liderëve të ‘pa familje’ shkon mbi dominancën e pushtetit dhe mbi bashkimin e shoqërisë nën pushtetin e tyre. Gjithë përulja dhe nderimi i tyre nuk iu drejtohet as fëmijës dhe as familjes, por ‘Shtetit’. Sa ‘e ëmbël’ na duket, por sa dinake është paradigma se ‘na duhet shteti, vetëm shteti’.
2.
Shija ‘pa familje’ e BE ka krijuar liderë pa familje. Por cikli ‘me këta liderë nuk mund të ketë familje as te njerëzit e zakonshëm’ vjen shumë mirë. Shikoje Europën sot në problemet e saj demografike! Në familjen Europiane numri i lindjeve është nga 0.2 deri në 1.1 mesatarisht. Në një çift (dy persona) lindin më pak se dy vetë. Europa nuk po zëvendëson veten. Liderët liberalë aktualë që luftojnë me iarmët e ‘kufijve të hapur’ dhe ‘emigracion masiv’, tentojnë të mbulojnë defektin e tyre tragjik. Sipas këtij trendi, në Europë nuk do të ketë Europianë- siç ka thënë edhe kryeministri i Hungarisë, Orban.
3.
Mohimi i familjes po minon vetë qytetërimin Europian. Kriza e familjes nuk ka ardhur vetëm si rezultat i zakoneve seksuale ose ideologjisë feministe. Por familja ka humbur kuptimin shoqëror. Po raporti i shtetit me familjen? Nuk është gjë e thjeshtë fakti që shumica absolute e liderëve janë ‘pa familje’, kjo na sjell në një kuptim. (A jemi të aftë ta mbajmë në mend dhe ta analizojmë?…). Na sjell në kuptimin që shteti e ka shpallur familjen ‘një kërcënim’. Prej kohësh shteti po manifeston se nuk ka interesa të përbashkëta me familjen. Shteti është kthyer në shef të familjes, dhe familja është e frustruar. Nga mëngjesi në mbrëmje familja dëgjon se ‘dy burra mund të lindin fëmijë’, se familja është ‘organizëm handmade’. Familja, aq sa mallkohet, aq edhe inkurajohet në divorc dhe abort, inkurajohet familja me fëmijë pa baba, shteti e shikon familjen me përtaci…
Tani është ai moment kur po kërkohen vlerat e sovranitetit dhe të vlerës, siç pat shkruar Abraham Kuyper, kryeministër i Hollandës në fillim të shekullit; i cili kishte shumë fëmijë. Ai e shikonte familjen si sferë të sovranitetit, nën sovranitetin e Zotit.
Veritas.com.al/