Tjetër rekord i ri për çmimin e naftës! Bordi i Transparencës ka marrë tjetër vendim që rëndon akoma më shumë të ardhurat e qytetarëve. Ditën e sotme ka publikuar çmimet e reja ku nafta rezulton se ka shkuar 265 lekë/litri nga 258 lekë/litri, ndërsa ka pësuar ulje me 2 lekë çmimi i benzinës ndërsa gazi mbetet i pandryshueshëm.
Qytetarët do të paguajnë 241 lekë/litër për benzinën. Çmimi i naftës prej 265 lekë litri që u vendos sot, është ndër më të lartët që ka vendosur Bordi i Transparencës. Maksimumi ka qenë i mëparshmi, 258 lekë litri. Çmimet e caktuara nga Bordi do të hyjnë në fuqi sot datë 17 Qershor ora 18:00 dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Vlen për tu përmendur se në datën 8 qershor kur mori vendimin për ta çuar në 258 lekë/litri, çmimi i naftës në bursë ishte 124 dollarë/fuçia. Ndërsa sot, kur është vendosur një tjetër rekord, çmimi në bursë luhatet poshtë vlerës 120 dollarë/fuçia.
Njoftimi i Bordit të Transparencës
Bordi i Transparencës në datë 17 Qershor 2022, në mbledhjen e radhës vendosi:
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë 265 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë 253 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë 241 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë 229 lekë/litër.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 86 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 74 lekë/litër për automjetet.
( Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 17 Qershor ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Tërheqim vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtëj vendimi.
Në rast të shkeljeve të konstatuara nga operatorë të ndryshëm do të vendoset pezullimi i aktivitetit.
Jemi në monitorim të vazhdueshëm të ecurisë së bursave, me qëllim reagimin sa më të shpejtë.