Shefja e Spitalit Infektiv, Dr. Najada Çomo ka dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetes. Këtë e bëri me dije sot kryeministri Edi Rama. Në konferencën për shtyp, në përmbyllje të mandatit të dytë qeverisës, ndërsa falënderoi mjekët për punën e tyre në luftën me pandeminë, Rama vlerësoi Çomon për vendimin e saj, duke  e cilësuar si përgjegjësi të lartë profesionale. Sipas Ramës, Çomo ishte kërkuar të qëndronte pranë ekipit të saj, në një kohë kur varianti Delta po përhapet masivisht në vend.

“Jam i prekur nga komunikimi me doktoreshën Najda Çomo, më kërkoi të pranoja tërheqjen e saj nga roli i deputetes duke ndjerë shumë të fortë detyrimin për të mos u ndarë nga ekipi i saj fantastik, kur Delta nisi të mbushë shtretërit e terapisë intensive. Një shembull kuptimplotë i përgjegjësisë së lartë për detyrën. Lufta nuk ka mbaruar vjeshta  e dimri mund të jenë të vështirë, por falë mjekëve janë shpëtuar me mijëra jetë dhe Shqipëria po mbyll një sezon turistik të hapur për të gjithë”, tha Rama.