NATO po vlerëson mundësinë e mbylljes së hapësirës ajrore mbi qiellin e Ukrainës, me kërkesë të Kievit. Kështu shprehet ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i cituar nga media britanike, Sky News. Ky opsion, i cili ishte përjashtuar më herët nga liderët perëndimorë, si Joe Biden apo Boris Johnson, do të mundësonte shënjestrimin e avionëve ushtarakë rusë dhe për pasojë, një konfrontim të drejtpërdrejtë të NATO-s me Moskën.

Nga ana tjetër, Rusia ngre zërin kundër programeve të perëndimit për furnizimin me armë të Ukrainës. Zëvendësministri i jashtëm, Aleksandër Grushko, përmendi rrezikun e një përplasjeje mes Rusisë dhe vendeve të NATO-s duke theksuar se e gjithë kjo situatë është shumë e rrezikshme dhe se nuk ka garanci që s’do ketë incidente mes palëve.

Nga ana tjetër, Britania dhe Polonia paralajmërojnë sanksione të mëtejshme kundër Moskës dhe regjimit të Putinit. Kryeministri britanik, Boris Johnson, dënoi aktet barbare të Rusisë në Ukrainë dhe konfirmoi dërgimin e armëve në Kiev. Për të qetësuar paksa retorikën mendon Gjermania. “Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do të ndërhyjmë ushtarakisht. Kjo vlen për NATO-n që nuk do ta bëjë atë dhe për të gjithë të tjerët. Në këtë situatë ajo do të ishte e gabuar”, tha Kancelari Olaf Scholz.

Ndërkohë, në paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë, përfshihet përjashtimi i 7 bankave nga sistemi SWIFT dhe ndalimi i eksportimit të monedhës euro drejt çfarëdo personi juridik apo fizik në Rusi, përfshirë qeverinë dhe Bankën Qendrore.