Covid-19, i ka kushtuar jetën një tjetër figure të njohur të vendit tonë. Së fundmi ka ndërruar jetë i prekur me COVID-19, ish-zv/kryeministri dhe ish ministri i brendshëm, Bashkim Kopliku.
Familjarët e kanë marrë nga spitali me ambulancë private për ta dërguar në Itali për kurim, po nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka vdekur në Rinas pa mundur të niset drejt shtetit fqinj. Ishte në gjendje të rënduar.
*
Bashkim Kopliku u lind më 15 korrik 1943 në Shkodër. Më 1962 – 1966 ndoqi Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike në Universitetin e Tiranës. Më 1966 – 1969 punoi si inxhinier elektronik në qendrën radiomarrëse të Kamzës, Tiranë. Më 1969 – 1970 u zhvendos nga Tirana në Shkodër për arsye politike.
Ka qenë zëvendëskryeministër i Shqipërisë në periudhën 1992-95, deputet në Kuvendin e Shqipërisë në 1991-97, kryetar i Komisionit Parlamentar të Ekonomisë në 1996-97, anëtar i kryesisë së PDSH në 1991-97, i dekoruar me “Urdhrin e Lirisë të Klasit të Parë”, nga Presidenti i Shqipërisë në vitin 1993, kryetar i Bashkisë Durrës (Komiteti Ekzekutiv Pluralist Durrës) në 1991-92, kryeinxhinier i URT Durrës në 1990, ka mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese në fushën e elektronikës.
Krahas posteve dhe kontributit të padiskutueshëm, Bashkim Kopliku nuk do t’i shpëtonte dënimit të regjimit si punëtor për qëndrime “të gabuara” politike në 1975-76. Është autor i rreth 700 shkrimeve opinion në gazeta të ndryshme.
Bashkim Kopliku ishte një nga bashkëpuntorët më të ngushtë të gazetës Bulevard, stafi i Bulevard i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes dhe të afërmve.
VERITAS.COM.AL