Gazetari dhe publicisti i njohur, Nebil Çika është ndarë nga jeta sot në moshën 58-vjeçare. Çika prej vitesh ka mbajtur postin e ish-kreut të të përndjekurve politikë.
Lajmin e vdekjes së gazetarit e kanë shpërndarë familjarët në rrjetet sociale, Pas homazheve, trupi i pajetë do të përcillet për në banesën e fundit, në varrezat e Tufinës.
“Me hidhërim të thellë dhe me dhimbje të madhe ju lajmërojnë që u nda nga jeta babai jonë i dashur Nebil Cika. Pritjet bëhen pranë ambienteve te Funeral Home Parajsa, pranë Nesherakut! Mbas orës 09:00. Varrimi në orën 14:00 në varrezat e Tufinës”, thuhet në mesazhin e familjarëve të gazetarit.
Mëngjesin e sotëm ka pasur shumë reagime për vdekjen e parakohshme të gazetarit Çika. Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë Roland Bejko ka treguar dhe bisedën e fundit në aplikacionin “Whatsapp”, me Çikën teksa shkruan se sot ka humbur mikun dhe bashkëpunëtorin e tij të çmuar.
“Sot unë humba mikun dhe bashkëpuntorin tim të çmuar, aktivistin dhe publicistin e talentuar, antikomunistin dhe demokratin e vendosur, Nebil Çika. Familja, humbi njeriun e saj të dashur, shoqëria, mikun e vet të mirë, ish të përndjekurit politikë të diktaturës, avokatin e zjarrtë të kauzës së tyre, publicistika shqiptare, humbi një nga penat më të spikatura të saj këto 30 vitet e fundit. Shumë plane, ëndra, synime, projekte librash, përmbushje kauzash të keqpërdorura mbetën në mes me humbjen e Nebilit. Prehu në paqe vëlla! Ngushëllime familjes, djemve dhe bashkëshortes për humbjen e tyre të madhe!I përjetshëm kujtimi i Nebilit, këtij luftëtari të pa epur të çështjeve të mëdha të këtij vendi!“-shkruan Bejko.
“Ndarja nga kjo jetë e Nebil Cikës, një lajm sa i hidhur po aq i pabesueshëm. Shumë dhimbje e trishtim kjo natë. Prehu në paqe mik i paharruar“, shkruan deputeti Kreshnik Çollaku.
Ndërkohë Bujar Vreto, kandidati i PD për Librazhdin ka shkruar: “Dhimbje për ty mik i shtrenjtë. Dje ishim bashkë biseduam, sot zgjohem e lexoj lajmin e zi, zemra juaj ka pushuar ehh ç’është jeta. Humba dhe humbëm një mik, bashkëpuntor të çmuar. Aktivist, publicist të talentuar. Antikomunist dhe demokrat i vendosur, e pabesueshme që s’do takohemi më fizikisht Nebil Cika. Bashkëshortja, fëmijët, dhe familjarët humbën njeriun e tyre të dashur. Shoqëria, mikun e pazëvendësueshëm, ish të përndjekurit politikë të diktaturës humbën një vlerë që luftonte në krahun e tyre, avokat të kauzës së tyre. Publicistika humbi publicistin, humbi një nga penat më të spikatura të saj në vitet e pluralizmit.”
“Sot unë humba mikun dhe bashkëpuntorin tim të çmuar, aktivistin dhe publicistin e talentuar, antikomunistin dhe demokratin e vendosur, Nebil Çika.
Familja, humbi njeriun e saj të dashur, shoqëria, mikun e vet të mirë, ish të përndjekurit politikë të diktaturës, avokatin e zjarrtë të kauzës së tyre, publicistika shqiptare, humbi një nga penat më të spikatura të saj këto 30 vitet e fundit”, shkruan Roland Bejko.
Nebil Çika i përkiste një familje të njohur patriote dhe intelektuale nga Borshi i Bregut. I përndjekur familjarisht gjatë regjimit komunist, Nebil Çika ka qenë gazetar që prej fillimeve të viteve 90-a. Vitet e fundit ai drejtonte organizatën e ish-të përndjekurve politikë. Në fillim si reporter i kronikës e më pas gazetar politik dhe botues i gazetës “Minerva”. Ai ka qenë përkrahës i PD-së dhe mbronte idenë e një force politike të distancuar nga Sali Berisha.
Çika ka qenë një nga iniciatorët dhe mbështetësit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, ndërsa ka denoncuar se edhe në poste të larta publike e shtetërore janë vendosur njerëz që kanë ushtruar detyra në kohën e diktaturës, ose kanë qenë spiunë të regjimit.