(FOTO: James Clapper- drejtor i Inteligjencies Amerikane (DNI)/

Nga Anne RENAUT/

 Në foto: Kreu i shërbimeve inteligjente amerikane (DNI) James Clapper, më 7 shtator 2016 në Uashington

A ndërhyri Moska në zgjedhjet amerikane? Shefat e spiunazhit janë të bindur dhe do t’i mbrojnë pikëpamjet e tyre të enjten në mëngjes, 5 dhjetor, gjatë një seance dëgjimore në Kongres ku do të paraqesin provat e tyre, përballë një Donald Trump që nuk resht së mohuari ato publikisht.

Presidenti i zgjedhur Trump ka shpërndarë të mërkurën në Tweeter një varg mesazhezh nga faqja e Wikileaks-it dhe themeluesit të saj Julian Assange, i cili mohon çdo ndërhyrje e Moskës në botimin prej tij të e-maileve të Partisë Demokrate dhe të njerëzve të afërt me Hillari Klintonin.

Kjo mbështetje për një njeri të anatemuar gjerësisht në SHBA për vjedhjen dhe publikimin tashmë në 2010 të telegrame diplomatike sekrete, shkaktoi një trazirë edhe në radhët e republikanëve.

“Julian Assange tha se një adoleshent 14 vjeçar mund të ketë piratuar (John) Podesta – atëherë pse ka qenë kaq e pakujdesshme Partia Demokrate? (Assange) ka thënë gjithashtu se nuk ia kishin dhënë rusët informacionin”, ka shkruar presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.

Agjencitë e shërbimeve të fshehta amerikane, por edhe kompani private të sigurisë informatike a priori të pavarura, argumentojnë se Moska ka dorë në rrjedhjen e postës elektronike të partisë Demokrate dhe të John Podesta-s, drejtori i fushatës së Hillari Klintonit.

Senatori John McCain e cilësoi të mërkurën piraterinë “akt lufte”.

Mbetet për të parë se mbi ç’elemente bazohet administratën në largim, e cila deri më tani nuk ka dhënë publikisht prova të qarta. E bindur se publikimi i këtyre e-maileve nga WikiLeaks bëhej për të favorizuar Donald Trump-in, Shtëpia e Bardhë ka ndërmarrë tashmë sanksione të rënda kundër dy shërbimeve të fshehta ruse dhe ka dëbuar 35 diplomatë rusë, agjentët të fshehtë, sipas saj.

– ‘Luftra idiote’ –

Barack Obama ka porositur një raport nga shërbimet e fshehta me detaje për piraterinë e pretenduar nga ana e Rusisë dhe që dëshiron ta bëjë public përpara largimit të tij.

Por disa detaje mund të dalin tashmë gjatë seancës së enjtes para komisionit të Mbrojtjes të Senatit.

Të zgjedhurit do të marrin në pyetje pikërisht shefin e zbulimit amerikan (DNI), James Clapper, i cili koordinon 17 agjenci, si dhe drejtorin e Agjencisë Kombëtare të Sigurisë (NSA), Michael Rogers.

Donald Trump, i cili do të informohet të premten nga zyrtarë të lartë të shërbimit të fshehtë, do të punojë nga ana e tij për të ristrukturuar, madje  për ta shkrirë DNI, të cilën e konsideron si agjenci tepër të politizuar, -shkruante të mërkurën në mbrëmje Wall Street Journal, duke cituar burime të afërta me presidentin e zgjedhur.

CIA është e bindur se janë rusët ata që ia dhanë e-mailet WikiLeaks-it. Por Julian Assange, kritik i zjarrtë i Hillari Klintonit (nëse do të zgjidhej, ajo sipas tij “do t’i çonte Shtetet e Bashkuara në luftëra idiote”), e ka mohuar gjithmonë këtë.

Edhe ekipi i Trump-it i ka hedhur poshtë konkluzionet e CIA-s, duke gjykuar se analistët që kanë bërë këtë “janë të njëjtët me ata që thonin se (ish-presidenti i Irakut) Sadam Huseini zotëronte armë të shkatërrimit në masë”.

– ‘Spiunët’ e Moskës –

Por shumë zyrtarë të zgjedhur, përfshi edhe republikanë, nuk duket se ndajnë të njëjtin mendim me Donald Trump.

Për të fuqishmin e Kongresit dhe kryetarin e shumicës republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, Paul Ryan, Julian Assange “është një spiun në shërbim të Rusisë”. “Ai shpërndan informacione, vjedh të dhëna, dhe vë në rrezik sigurinë kombëtare”.

Anëtarë të shumtë të komisionit të Mbrojtjes të Senatit kanë shprehur shqetësimin për këtë mbështetje të nënkuptuar të Julian Assange-it nga presidenti i ardhshëm amerikan.

“Z. Assange është një i arratisur sipas ligjit, i strehuar në një ambasadë, i cili ka një llogari të hapur si minues i interesave amerikane. Unë shpresoj që asnjë amerikan të mos mashtrohet prej tij. Nuk duhet t’i kushtojmë asnjë lloj kredibiliteti”, ka pohuar për CNN-in republikani Lindsey Graham.

Kur Donald Trump, i cili ka shprehur fjalë lëvduese për shefin e Kremlinit dhe ka bërë thirrje për marrëdhënie më të mira me të; të hyjë në Shtëpinë e Bardhë më 20 janar, “ne do jemi më pak të sigurt”, sepse ajo është “pro-Putin dhe i beson më shumë Julian Assange-it sesa CIA-s”, alarmohet nga ana e tij ish-zëdhënësi i CIA-s George Little (2007-2011).

Në fillim të tetorit, Departamenti i Sigurisë Kombëtare dhe Drejtoria e Inteligjencës (DNI) arritën në përfundimin se Rusia kishte piratuar adresat elektronike të personaliteteve dhe organizatave politike me synimin “për të ndërhyrë në procesin zgjedhor amerikan”.

The Washington Post më pas, zbuloi, në fillim të dhjetorit se, sipas konkluzioneve të CIA-s, njerëz të lidhur me Moskën i kanë dhënë WikiLeaks-it e-mail të piratuara nga llogaria e John Podesta-s dhe Partisë Demokrate.

Sipas CIA-s, Moska ka përdorur “ndërmjetës”.

The New York Times kish pohuar nga ana e tij se Moska kishte piratuar edhe Partinë Republikane, por kishte publikuar vetëm informacionet që lidheshin me Partinë Demokrate.

Donald Trump ka sugjeruar, nga ana e tij, se Partia Republikane është “mbrojtur kundër piraterisë”, ndryshe nga Partia Demokrate.

/Veritas.com.al/