Presidenti Ilir Meta, dekoroi para disa ditësh Mehdi Bushatin, veprim ky që ngjallur reagime të mëdha. Reagimi i radhës, ka ardhur nga Gëzim Peshkëpia një ish i burgosurit politik dhe anëtar i Bordit të Institutit studimit të krimeve të komunizmit.
Peshkëpia ka ndërmarrë vendimin ekstrem duke i kthyer dekoratën që ka marrë nga institucioni i Presidencës.
Me anë të një letre, drejtuar Presidentit të Republikës, Ilir Meta, Peshkëpia shprehet se deklaratën që e ka mbajtur me krenari, nuk mund ta mbajë më, pasi i njëjti institucion që nderoi atë ka nderuar një ‘xhelat të diktaturës’.
“Them “e kam mbajtur” sepse nuk e mbaj më. Atë e hoqa dhe do ua kthej fizikisht në ccastin më të parë të mundshëm. Te dy dekoratat janë ekuivalente, por ndryshimi qëndron tek mbajtësit e tyre. Njëra i akordohet një familje të persekutuar keq nga regjimi komunist, ndërsa tjetra një persekutori sadist. Edhe pse nuk më është dhënë personalisht nga i njëjti President unë atë e kam konsideruar nga shteti shqiptar, institucioni i Presidencës si përfaqësues i tij. Ajo më përvëlon duart kur e di se të njëjtën simotër e mban një kriminel. Kjo në këtë rast fyen sedrën, lëndon plagën e vuajtjes së familjes time, qindra e mijëra familjeve të tjera, lëndon një plagë të pashembullt në histori. Mehdi Bushati është një xhelat konkret, jo figurative”, shkruan Peshkëpia.
Sipas Peshkëpisë, Bushati edhe po të veshë kostum futbollisti apo diplomati nuk e ndryshon dot fytyrën.
“Atë ia kanë treguar shumë bashkëvuajtës të mi që janë qëlluar me shqelma në kokë e trup, janë kafshuar si prej kanibalësh që i kafshonin e me gojën plot i pështynin në fytyrë. Duhet ti kini lexuar. Si ju bën zemra e nuk ju dridhet dora të firmosni atë dekret.
Ky sadist i lindur gjeti rastin të demonstrojë shtazërinë e tij monstruoze vetëm në saj të krushqisë me familjen e nr. 2 te diktaturës Hysni Kapo. Dëshmitarët kundra tij janë gjallë. Ndër të tjere janë të internuarit e Lushnjës. Mehdiu meriton gjyq e jo dekorate. Zoti President është në nderin tuaj ta anuloni këtë dekoratë. Bëjeni që mos tua mallkojnë dorën me të cilën firmosët”, shkruan më tej Peshkëpia./FaxWeb/